
Zamira Durda, nëna që humbi djalin e saj 7-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit ka kërkuar që në dosjen që SPAK dërgoi për gjykim për Fatmir Mediun, ministër i Mbrojtjes asokohe, të përfshihet edhe akuza për vrasje dhe jo vetëm ajo e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Duke folur për mediat ajo tha se për Gërdecin fajëson të gjithë piramidën shtetërore që nga presidenti deri tek kryeplaku i fshatit.
“Kërkoj vendosjen e drejtësisë për tim bir, të dënohen fajtorët që e vranë dhe në fund të ata që e shkaktuan Gërdecin të paguajnë. Unë akuzoj gjithë piramidën shtetërore që nga presidenti deri tek kryeplaku i fshatit, pastaj se kë nxjerr prokuroria fajtore këtë nuk di ta them.
Unë përfaqësoj tre viktima, jo vetëm djalin tim. Jam e pakënaqur me këtë dosje sepse shpërdorimi i detyrës duhet t’i shtohet vrasja. Sepse të pandehurit e tjerë që kanë qenë në shkallë të parë kanë qenë të pandehur për vrasje, po ata nga këta i morën urdhrat, nga ministrat”-tha Durda.
Ajo tha se çështjen do të dërgonte deri në Strasburg nëse ndaj Mediut dhe të akuzuarve të tjerë për tragjedinë e Gërdecit, nuk shtohej akuza e vrasjes.
“Do ta çoj çështjen deri në Strasburg. Nëse nuk akuzohen për vrasje, atëherë çfarë na duhet korrupsioni? Është qesharake nëse kjo dosje përfundon me korrupsion pa akuzën e vrasjes. Kjo ka ndodhur, është realitet, jo se po e kërkoj unë”, shtoi ajo.