Një aksident automobilistik është regjistruar mesditën e kësaj të shtune në Berat. Një mjet tip foristradë "Tuareg" që drejtohej nga Arlind Muçogllava ka goditur një të moshuar që qarkullonte përpara tij me biçikletë, duke e lënë të plagosur në gjendje të rëndë.
Pas përplasjes, i moshuari ka përfunduar fillimisht mbi kofanon e mjetit dhe më pas poshtë rrotave të makinës. Është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikësve për të nxjerrë të moshuarin nga poshtë makinës, ku përfundoi pas përplasjes së rëndë.
I plagosuri, identiteti i të cilit nuk dihet ende, është transportuar me ambulancë drejt spitalit të Beratit në gjendje kritike për jetën.
Drejtuesi i mjetit Arlind Muçogllava është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Berat për tu pyetur në lidhje me ngjarjen. Policia po kryen veprimet hetimore për të zbuluar shkaqet dhe dinamikën e aksidentit.