Trupi iu bë "shoshë", detajet e reja nga vrasjsa e Elson Kalaverit: U qëllua 15 herë nga persona të maskuar, pistat e hetimit

20 August 2022, 09:35Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Trupi iu bë "shoshë", detajet e reja nga vrasjsa e Elson
Pamje nga vendi i ngjarjes

Janë zbardhur detaje të reja nga vrasja e 36-vjeçarit Elson Kalaveri mbrëmjen e 18 gushtit në rajonin e Pisas në Itali. 

Sipas policisë italiane, mbi trupin e shqiptarit janë zbrazur 15 plumba, duke e lënë të vdekur në vend.  Elson Kalaveri është goditur ndërsa udhëtonte në një automjet të tipit “Mercedes Classe B”, me ngjyrë të verdhë ari e me targa gjermane.

Automjeti ku u godit viktima drejtohej nga një tjetër shqiptar, i cili mendohet se është me banim në Shqipëri dhe kishte shkuar disa ditë si turist në Itali, por ende nuk bëhet me dije se kush është ai person dhe se cila ka qenë lidhja e tij me viktimën.

Sipas hetimeve nga autoritet italiane, autorët dyshohet se kanë qenë tre persona dhe kanë përdorur në ekzekutim një pistoletë gjysmë automatike, ndërkohë që nga dëshmitarët okularë u tha ata se kanë ikur me një automjet me ngjyrë të errët.

Policia ka marrë dëshmia e parë e personit që ishte në makinë me të dhe më pas edhe e disa personave të tjerë, të cilët e kanë parë ngjarjen. Atentatorët kanë qenë të maskuar dhe nuk i kanë dhënë asnjë mundësi shqiptarit që e shoqëronte Elsonin ta shpëtonte.

Mbi hetimet, autoritet italiane janë bazuar në të shkuarën e Elson Kalaverit, i cili ka qenë me precedent penal në Itali dhe Shqipëri. Ai ishte përfshirë në hetime për prostitucion në Itali, por nuk ishte dënuar asnjëherë.

Ndërsa në Shqipëri, në vitin 2014 ka qëlluar me plumb në kokë Gent Keçin duke e lënë të plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi në postën e policisë së Mamurrasit.

Ngjarja në vitin 2014

Rreth orës 00:45, Elson Kalaveri ka hyrë i armatosur në postën e policisë së Mamurrasit. Mësohet se ai ndali hapin tek blutë për të denoncuar fqinjin e tij, Gent Keçi. Në këtë moment ka hyrë tek posta e policisë dhe Gent Keçi. Dy personat në fjalë kanë debatuar ashpër në prezencë të punonjësve të policisë.

Kalaveri, duke menduar se fqinji i tij ishte i armatosur, ka nxjerrë pistoletën që e mbante me vete dhe ia ka vënë në ballë. Në çast ai e ka qëlluar atë me plumb në kokë duke e plagosur rëndë. Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. Policia i ka vënë prangat autorit, ndërsa i plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku ndodhej në gjendje kritike për jetën.

Në njoftimin zyrtar, policia e Kurbinit ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur në qytetin e Mamurrasit dhe jo brenda postës së policisë së këtij qyteti.

Fillimisht sherri mes dy banorëve të Thumanës ka nisur në lokalin e natës. Sipas hetuesve të çështjes,  Elson Kalaveri ka shkuar në lokalin me muzikë 'live' në pronësi të Keçit që ndodhet afër Rinasit. Ai ka bërë sherr me këngëtaret e lokalit. Pronari Keçi është konfrontuar me fqinjin e tij Kalaverin dhe ka marrë armën për ta vrarë. Menjëherë i riu është larguar, por Keçi e ka ndjekur nga pas atë deri në Mamurras. I ndodhur në një situatë të tillë, Kalaveri ka hyrë në postën e policisë së këtij qyteti, për të denoncuar pronarin e lokalit dhe njëkohësisht për t'i shpëtuar vrasjes së mundshme.

Gent Keçi ka lënë armën në makinë dhe është futur dhe ai në postën e policisë. Vetëm pak minuta më pas ai ka dalë andej i plagosur rëndë.


Video