Një student i Akademisë së Policisë së Shtetit dhe kunati i tij kanë mbetur të plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në fshatin Grudë të Shkodrës.
Sipas informacioneve paraprake, drejt tyre është qëlluar me armë zjarri nga disa persona që ndodheshin në një makinë.
Autorët janë larguar menjëherë pas ngjarjes, ndërsa është arritur të gjendet e djegur makina që kanë përdorur.
Dy të plagosurit, studenti i Akademisë së Policisë, Gjergj Ndërshtiqaj dhe Gjin Leka janë dërguar në spital ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Informacion nga policia:
Rreth orës 19:30, në afërsi të një lokali në fshatin Grudë e Re, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Gj. N., rreth 30 vjeç. Si pasojë e të shtënave është plagosur edhe kunati i tij, shtetasi Gj. N., 28 vjeç, student në Akademinë e Sigurisë. Të dy këta shtetas janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore.
Në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë, drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër.
Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur disa grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe të RENEA-s, si dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, për kapjen e autorëve, në afërsi të vendit të ngjarjes, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Renault”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Pas sqarimit të rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve të para, do të ketë informacion më të detajuar për këtë rast.