Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së zhvilluar sot në Tiranë, duke përgëzuar studentët dhe gjimnazistët pjesëmarrës. Në një deklaratë, ai ka vlerësuar qëndresën e tyre përballë ndërhyrjes së Policisë, ndërsa ka përsëritur thirrjen për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare.
“Trimëria, vendosmëria e studentëve të revoltuar dhe gjimnazistëve mposhti në të gjitha rastet sulmet e egra të narkobanditëve, që u përpoqën të shtypin me dhunë protestën. Ndaj dhe unë kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë gjimnazistët dhe studentët, që me guximin dhe vendosmërinë e tyre arritën sot të jenë de facto zotërit e vërtetë të Tiranës.
I treguan sot regjimit se dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve për një kapitull të ri në paqen sociale të vendit, për krijimin e një qeverie kujdestare, në mënyrë që shqiptarët të shkojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë kuadër, ftoj çdo qytetar të këtij vendi dhe forcat politike të bashkohen në mbështetje të revoltës studentore, në mbështetje të kësaj revolte me qëllimin e largimit të padrinos dhe rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve”, tha Berisha.
Berisha komentoi dhe largimin që studentët i bënë deputetëve demokratë nga protesta, duke pretenduar se ishte tentativë e Edi Ramës për përçarjen e tubimit dhe që sipas tij u përdorën aktivistë të Arlind Qorrit.
“Sot dështoi në mënyrën më të turpshme përpjekja e Ramës për të përçarë protestën në mënyrën më të neveritshme. Ata si puna e ‘qorrit’ të tij, që deklarojnë se protestojnë për të përmirësuar Ramën, ata janë Jago të revoltës studentore. Studentët e revoltuar, gjimnazistët, ia kanë prerë biletën Edi Ramës, nuk besojnë kurrë se ai mund të përmirësohet”, u shpreh Berisha.
“Në këtë përpjekje pati edhe mjeranë të angazhuar nga Policia, por morën përgjigjen e merituar”, u shpreh Berisha.