
Kombëtarja e futbollit pret sonte Islandën në “Air Albania” me objektivin e vetëm për fitore.
Trajneri Reja pritet të bëjë 5 ndryshime në formacion krahasuar me ndeshjen e humbur ndaj Izraelit dhe në stol do ulen edhe emra si Hysaj e Broja.
Për moral e për të mos e mbyllur me turp Ligën e Kombeve. Shqipëria pret sonte Islandën në “Air Albania” duke filluar nga ora 20:45 në një sfidë që luhet edhe për dinjitet.
Të dërrmuar pas humbjes në Izrael futbollistët kuqezinj do të kërkojnë që të paktën mos ta mbyllin grupin 2 në Ligën B në vend të fundit dhe pikërisht të parakalojnë Islandën në renditje. Dëshira është e madhe për të bërë kthesën dhe për t’u dhënë gëzim tifozëve që do jenë në shkallët e stadiumit.
I vënë në qëndër të kritikave trajneri Edoardo Reja pritet të bëjë 5 ndryshime në formacion krahasuar me Izraelin.
Me shumë mundësi në stol do ulet Elseid Hysaj e Armando Broja por nuk pritet të jenë titullar as Asllani, Ajeti e Laçi. Uzuni që tundi rrjetën në Tel Aviv do e nisë nga minuta e pare. Shqipëria mbyll grupin B2 të Ligës së Kombeve me vetëm një pikë.