Nepotizmi në futboll/ Armando Cungu turpëron Shqipërinë për Europianin U 19

24 September 2022, 19:03Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nepotizmi në futboll/ Armando Cungu turpëron Shqipërinë
Armando Cungu

Kombëtarja shqiptare U-19 e futbollit ka mbyllur me dy humbje të thella pjesëmarrjen e saj në grupin e parë kualifikues të Europianit të kësaj grupmoshe.

Brenda pak ditësh, ekipi i drejtuar nga Armando Cungu u mund me shifrat 3-1 nga Belgjika dhe sot 5-0 nga Spanja. Rezultate që i japin fund shanseve për kualifikim të Shqipërisë U19 edhe si skuadër e tretë më e mirë në grupe, pasi golavarazhi 1-8 lë pak vend për diskutime.

Por, mbi të gjitha, këto rezultate vërtetuan atë çfarë kemi shkruar më parë për "allishverishet" dhe paaftësinë e trajnerit të kombëtares së kësaj grupmoshe, Armando Cungu. Dështimi bie pikërisht mbi të dhe duhet të mbajë përgjegjësitë për këto humbje turpëruese.

Sipas burimeve nga vetë përfaqësuesit e stafit teknik të ekipeve të moshave pranë FSHF-së, Armando Cungu ka qenë i paaftë të krijojë një skuadër ku të harmonizohen aftësitë më të mira të të rinjëve shqiptarë.

Sipas të njëjtit burim, sektori më problematik ka qenë ai i mesfushës sipas përfaqësuesit të Federatës që nuk dëshiron të identifikohet. Sipas tij, skandali me i madh që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e futbollit është grumbullimi dhe aktivizimi i vetë djalit të trajnerit, mesfushorit William Cungu. Kjo padyshim i ka hequr atij çdo kredibilitet të mundshëm profesional, çka mendohet të ketë ndikuar edhe në moralin e skuadrës.

Dy disfatat e fundit të kombëtares U-19 kanë ardhur nga Cungu i vogël për fat të keq të Cungut të madh. Në të dy ndeshjet një minutë pas aktivizimit të Williamit ekipi ynë ka pësuar golat e turpit. Në fakt jo vetëm burimi ynë në Fedaratë por edhe pjesëtarë të tjerë të ekipit janë habitur me zgjedhjen e babait trajner ,pasi djali i tij në kushte normale është një lojtar stoli në ekipin e tij dhe për më tepër kishte katër muaj që rrinte larg fushave të blerta për shkak të një dëmtimi.

Armando Cungu ishte i bindur se pa djalin e tij skuadra nuk mund të funksiononte si një sahat zviceran, por mori mësimin e duhur, pësim që kurrsesi nuk duhet t’a merrte skuadra jonë me këto dy rezultate skandaloze.

 Federata Shqiptare e Futbollit që më së pakti i ka toleruar këto shkelje të etikës dhe profesionalizmit do të duhet të ndërmarre hapat e nevojshëm për të ngritur punën me ekipet e moshave në nivelin e kërkuar. Ekipi kombëtar U-19 është një trampolinë për të thithur lojtarët më të mirë shqiptarë të vazhdimësisë ,ndaj ata që kanë marrë përsipër të seleksionojnë dhe aktivizojnë më të mirët duhet të hapin sytë që skuadra në ballafaqimet e saj të mos deskretitohet. Dhe puna e FSHF-së ditën e hënë duhet të filloje me shkarkimin e këtij trajneri të paafte dhe nepotik.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video