Armando Cungu, është një ndër trajnerët më të njohur të kampionatit shqiptar, ku ka drejtuar ekipe si Laçi, Vllaznia, Kukësi, apo para shumë vitesh dhe Teutën e Luftëtarin.
Vitin e kaluar, kreu i FSHF-së, Armando Duka i besoi stolin e kombëtares shqiptare U-19. Detyra e tij është që të rritë dhe të zbulojë sa më shumë talente shqiptare, ku ata më të spikaturit mund të shërbenin dhe kombëtares U-21.
Mirëpo, në dy grumbullimet e fundit të kombëtares U-19, ajo që vihet re është se Armando Cungu ka futur në listë dhe djalin e tij, William Cungu, i datëlindjes 19.06.2004. Ky i fundit luan si mesfushor me ekipin e moshave të Vllaznisë.
Sigurisht që djali i trajnerit mund të jetë i talentuar, por statistikat nuk flasin për diçka të tillë, ai ka shënuar vetëm disa gola në karrierën e tij dhe nuk është se ka tërhequr shumë vëmendjen e ekipeve të huaja. Cungu ende nuk i ka dhënë arsyet se pse grumbullon djalin e tij me kombëtaren.
Shqipërisë, nuk i kanë munguar asnjëherë talentet qoftë brenda vendit apo edhe jashtë si në Zvicër, Gjermani, Itali, Angli, etj.
Grumbullimi i William Cungut nga babai i tij Armando Cungu në kombëtaren U-19, duket qartë se ka konflikt interesi. Kjo gjë mund të sjellë pasoja, pasi shumë talente s'mund të presin gjatë FSHF-në për t'i grumbulluar dhe zgjedhin kombëtaret e tjera. Jo pak herë ka ndodhur kjo gjë ku Shqipëria ka humbur talentet e saj, për shkak të interesave të trajnerëve.