Max Allegri rrezikon shkarkimin nga Napoli

10 September 2026, 19:16Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Max Allegri rrezikon shkarkimin nga Napoli
Massimiliano Allegri

Massimiliano Allegri është nën presion të madh te Napoli dhe pozita e trajnerit italian tashmë duket e kërcënuar. Humbja 0-1 ndaj Arsenalit në Champions League ishte e treta radhazi për skuadrën napolitane, pas disfatave ndaj Como-s dhe Inter-it në Serie A.

Pavarësisht se Napoli zhvilloi një paraqitje relativisht pozitive ndaj Arsenalit, rezultatet e fundit kanë alarmuar drejtuesit e klubit. Sipas “Calciomercato”, presidenti Aurelio se Laurentiis është i pakënaqur me nisjen e sezonit, ndërsa edhe tifozët po bëhen gjithnjë e më të shqetësuar.

Allegri tashmë është nën presion për të reaguar menjëherë. Sfida e radhës ndaj Bolonjës, të dielën në transfertë, mund të jetë vendimtare për të ardhmen e tij në stolin e Napoli-t. Një tjetër rezultat negativ mund ta shtyjë klubin të marrë në konsideratë ndryshime në pankinë.

Në këtë situatë ka dalë në skenë edhe emri i Raffaele Palladino-s. Ish-trajneri i Fiorentinës, aktualisht pa ekip, po monitorohet si një prej kandidatëve kryesorë në rast se De Laurentiis vendos të bëjë një ndryshim gjatë sezonit.

Për momentin, nuk ka një vendim për shkarkimin e Allegri-t, por presioni është rritur ndjeshëm. Ndeshja ndaj Bolonjës mund të përcaktojë nëse trajneri italian do të vazhdojë të ketë mbështetjen e klubit apo nëse Napoli do të nisë të kërkojë një pasues.

 


Video