Euforia, kundërshtarja kryesore e Romës së Jose Mourinhos

14 August 2022, 15:44Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Euforia, kundërshtarja kryesore e Romës së Jose Mourinhos

Jose Mourinho ka ndezur gjysmën e kuqe të Romës përpara fillimit të sezonit të ri të Serisë A.

Roma nuk ka qenë kurrë e lehtë për t'u pushtuar. Në të vërtetë, Rudi Garcia njëherë theksoi se qyteti ka pasur ndonjëherë vetëm tre mbretër: Papa, një bos famëkeq i krimit 'Libanez' dhe Francesco Totti. Jose Mourinho, megjithatë, është në rrugën e duhur për t’u shpallur i katërti.

Në harkun e një viti, ai ka elekrtrizuar gjysmën e kuqe të qytetit. Sezoni i tij i parë në Serie A u karakterizua nga një sërë sulmesh të shëmtuara ndaj zyrtarëve dhe kundërshtarëve, por edhe përparim i dukshëm në fushë, duke kulmuar me klubin që fitoi trofeun e tij të parë të madh europian.

Mund të ketë qenë vetëm Europa Conference League e sapoformuar, por do të thoshte shumë për Mourinhon, ai u përlot pas fitores së tyre në gjysmëfinale të dytë kundër Leicester City dhe madje përkujtoi triumfin në Tiranë me një tatuazh të ri.

Megjithatë, fitorja 1-0 ndaj Feyenoord do të thoshte edhe më shumë për tifozët. Ata kishin vuajtur shumë që nga fitimi i fundit i Scudetto-s, në vitin 2001, duke duruar gabimet e humbjet njëra pas tjetrës, si në Serie A ashtu edhe në garat kontinentale.

Kjo është pikërisht arsyeja pse ata e përshëndetën Mourinhon si një Mesia, me qindra mbështetës që dolën për ta përshëndetur kur ai mbërriti në mënyrë sensacionale në Romë verën e kaluar.

Askush nuk e priste të vinte. Askush nuk e dinte se ai ishte një pretendent për të zëvendësuar Paulo Fonseca në largim si trajner. Emërimi i 'The Special One', më pas shkaktoi atë që ish-drejtori i Romës, Walter Sabatini e cilësoi si një "tërmet emocional" në kryeqytetin italian.

Telefoni i Paolo Di Canio u shpërtheu, legjenda e Lazios u përmbyt me mesazhe nga të gjithë miqtë e tij mbështetës të Romës, të cilët ishin të gëzuar nga lajmi. Di Canio, megjithatë, ishte shpërfillës, duke iu përgjigjur një mesazhi duke etiketuar Mourinhon si "të përfunduar" dhe "më i keqi nga më të këqijtë".

Megjithatë, puna është se metodat e Mourinhos po funksionojnë sërish në Romë. Sezonin e kaluar ai përmirësoi skuadrën sipas skemave të tij, ndërsa këtë verë duket se e ka kolauduar atë.

Siç tha për GOAL, ish-mesfushori i Portugalisë Adrien Silva, "Është befasuese në një kuptim, sepse Roma po kalonte një kohë shumë të vështirë para se ai të mbërrinte. Ata nuk ishin aspak afër të njëjtit nivel me rivalët e tyre kryesorë në Itali, por tani ata po afrohen gjithnjë e më shumë”.

“Por, nga ana tjetër, nuk është për t'u habitur që ata tani po bëjnë mirë sepse është Jose Mourinho! Dhe ai ka treguar në shumë klube gjatë karrierës se ai është një nga menaxherët më të mirë në botë. Kjo thjesht ju tregon se ndonjëherë ju duhet vetëm menaxheri i duhur në kohën e duhur që gjërat të klikojnë”, thotë ai.

Dhe Mourinho e Roma duken si një përplasje e ngjizur në parajsë. Duke pasur parasysh fuqinë e skuadrës që kishte përfunduar në vendin e shtatë sezonin më parë, pritshmëritë ishin të ulëta për sezonin 2021-2022.

Kishte shumë ditë të errëta dhe zhgënjimi i Mourinhos ishte i dukshëm në intervale të rregullta. Ai tha se ishte pjekur, edhe si trajner edhe si njeri, por ai filloi të sulmonte kundërshtarët e vjetër (Juventusin) në konferencën e tij të parë për shtyp dhe kurrë nuk u pendua me kalimin e sezonit.

Objektivi i tij kryesor mund të kenë qenë gjyqtarët, por ai u përfshi personalisht shumë në një grindje shumë të shëmtuar dhe të zgjatur me stafin stërvitor të kundërshtarëve të Ligës së Konferencës, Bodo-Glimt.

Sidoqoftë, Mourinho e përdori shkëlqyeshëm qasjen e tij. Pasi hoqi pamëshirshëm lojtarët për të cilët nuk kishte nevojë në fillim të sezonit, ai arriti të bashkonte skuadrën. Tifozët, natyrisht kanë qenë pas tij që në fillim. Një mural i Mourinhos në një Vespa u shfaq në lagjen Testaccio të Romës vetëm disa ditë pas mbërritjes së tij.

Rezultati i parë ishte krijimi i "një ndjesie familjare" që çoi një skuadër mesatare deri në fitoren në Ligën e Konferencës. Pyetja tani është nëse Mourinho tani mund të ndërtojë mbi këtë ndjenjë në dukje të pandalshme, një Romë për një titull të madh?

Fabio Capello, njeriu pas triumfit për titull 2000-01, është ndër ata që presin që Roma të paktën të sfidojë për katër vendet e para këtë sezon. Megjithatë, siç theksoi së fundmi trajneri legjendar, "Rreziku në Romë mbetet i njëjtë: shumë eufori".

Megjithatë, anija me kapiten Mourinhon është në lundrim. Suksesi i Conference League, i shoqëruar me një merkato pozitive, ka nxitur një valë të pashoqe optimizmi mes tifozerisë, duke krijuar të njëjtën atmosferë si në 2001.

Imazhet nga prezantimi i Paulo Dybala janë bërë prej kohësh virale, me ish-sulmuesin e Juventusit që ka mbetur i shtangur nga pritja që iu bë në Palazzo della Civilta' Italiana.

Ai mbeti pa fjalë përsëri javën e kaluar, vetëm duke dhënë një shenjë të vogël miratimi në vend të kësaj, pasi një turmë prej 65,000 tifozësh të Romës dha një interpretim emocionues të himnit të klubit përpara miqësores parasezonale me Shakhtar Donetsk.

Dybala, Tammy Abraham, Lorenzo Pellegrini dhe Nicolo Zaniolo - 'The Fantastic Four' siç janë pagëzuar tashmë – kombinuan në mënyrë perfekte në golin e parë në një fitore 5-0, që sugjeron se Mourinho tani është në zotërim të një ekipi të aftë për t’u cilësuar pretendent

"Jose është një fitues," tha Capello për Gazzetta dello Sport, "dhe ai e ka treguar këtë përsëri te Roma. Tani, ai ka një ekip që i përshtatet pritshmërive të tij dhe ai është i përsosur në menaxhimin e një grupi të mirë. Ai nuk do të ketë asnjë probleme”, parashikon Capello.

Sigurisht, Nemanja Matic dhe Gigi Wijnaldum do të sjellin një përvojë dhe stabilitet shumë të nevojshëm në mesfushë, ndërsa rikthimi në formë të plotë i mbrojtësit të krahut të Italisë, Leonardo Spinazzola është një armë shtesë vdekjeprurëse për stolin e lojës së portugezit.

Dyshimet lidhen me qendrën e mbrojtjes dhe cilësinë e lojtarëve në këtë repart jo vetëm për të mbrojtur, por edhe për të shtyrë përpara ekipin.

Për më tepër, tifozët e Romës nuk do të jenë të qetë derisa të mbyllet merkato, duke pasur parasysh spekulimet e vazhdueshme rreth Nicolo Zaniolo, i cili kërkohet nga Juventusi dhe Spurs gjatë gjithë verës.

 


Video