“Do dukem i keq, por po tregohem i sinqertë”, Mourinho: Nuk doja që Interi të fitonte tripletën

28 May 2025, 15:59Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Do dukem i keq, por po tregohem i sinqertë”, Mourinho: Nuk
Jose Mourinho

Jose Mourinho është trajneri i vetëm që ka fituar tripletë trofesh me një skuadër italiane. Tekniku portugez i mahniti të gjithë në vitin 2010, kur fitoi kampionatin, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampioneve me Interin.

Zikaltërit ishin në garë edhe këtë sezon për tripletën, por dështuan dhe tani janë vetëm në finalen e Champions.

Në një intervistë për “Sky Sport”, Mourinho u shpreh se kishte frikë se Interi mund ta fitonte këtë sezon tripletën. Ai tha se nuk dëshironte që kjo të ndodhte, pasi theksoi se tripleta është e tij.

Ndër të tjera, luzitani u shpreh se dëshiron që italianët ta fitojnë tani Champions-in, por do të ishte i lumtur edhe nëse e merr Enrique te PSG-ja.

“Do dukem i keq, por po tregohem i sinqertë. Kisha frikë se mos e fitonte Interi tripletën këtë sezon. Nuk doja që ta fitonin. Tripleta është e imja”, tha Mourinho duke qeshur.

“Megjithatë, tani që kanë humbur kampionatin dhe Kupën e Italisë, shpresoj që të fitojnë Ligën e Kampioneve. Dua t’i shoh duke e fituar atë trofe.

Luis Enrique po bën një punë të jashtëzakonshme në Paris. Ai e ka transformuar totalisht ekipin. Kanë humbur lojtarin kryesor, për kanë arritur të rindërtojnë gjithçka në mënyrë të jashtëzakonshme. Do isha i lumtur edhe nëse Enrique e fiton Ligën e Kampioneve”, deklaroi Mourinho.

Finalja e Champions League, mes Interit dhe PSG-së, do të luhet të shtunën e 31 majit në Mynih.

 


Video