
Cristiano Ronaldo zyrtarisht i ka dhënë lamtumirën kohës së tij në Ligën Profesionale Saudite përmes një mesazhi në rrjetet e tij sociale.
Pas humbjes 3-2 të Al Nassr ndaj Al Fateh në ndeshjen e fundit të sezonit, ku Ronaldo shënoi një nga dy golat e ekipit të tij, ylli portugez duket se konfirmoi largimin nga ekipi, duke i dhënë fund spekulimeve të vazhdueshme rreth të ardhmes së tij.
Ronaldo publikoi një mesazh në Instagram duke lënë të nënkuptuar largimin nga klubi të cilit iu bashkua në vitin 2023.
“Ky kapitull është mbyllur. Historia? Është ende duke u shkruar. Mirënjohës të gjithëve”, shkroi portugezi.

Transferimi i radhës? Ronaldo në radarin e klubeve për Kupën e Botës për Klube
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, konfirmoi se Ronaldo është në bisedime me një klub që do të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube, turne i cili do të nisë më 14 qershor në Shtetet e Bashkuara.
“Ronaldo mund të luajë edhe për njërën nga ekipet pjesëmarrëse në Kupën e Botës për Klube,” tha Infantino, duke shtuar: “Ka diskutime me disa klube… kush e di?”
Ronaldo është lidhur me një transferim të mundshëm te një klub brazilian që do të udhëtojë drejt SHBA për turneun e zgjeruar me 32 ekipe. Palmeiras, Flamengo, Fluminense dhe Botafogo janë katër ekipet nga Brazili që do të marrin pjesë.
Një kalim te Palmeiras mund të vendoste Ronaldon përballë Lionel Messit dhe Inter Miami në Grupin A – një përballje që do të rikthente rivalitetin legjendar mes dy yjeve të futbollit botëror. Edhe një bashkim i forcave mes Ronaldos dhe Messit nuk është përjashtuar, pasi Infantino u përgjigj me një “ndoshta” kur u pyet për këtë skenar.