Broja: Gabuam të gjithë në pjesën e dytë. Bajrami vë në diskutim zëvendësimin: Nuk e di pse

10 June 2022, 23:20Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Broja: Gabuam të gjithë në pjesën e dytë. Bajrami
Armando Broja

Armando Broja ishte autori i golit të vetëm të Shqipërisë në humbjen ndaj Izraelit, teksa ekzekutoi saktë një penallti në fundin e pjesës së parë dhe ishte rrezik konstant për mbrojtjen kundërshtare.

Në përfundim të ndeshjes sulmuesi i shpreh mjaft i zhgënjyer për humbjen, teksa pranoi se edhe vetë mund të bënte shumë më mirë, për të shfrytëzuar rastet që krijoi.

“Unë them se nuk i përballova mirë, pasi nuk fituam ndeshjen. Për sulmuesin janë të rëndësishëm golat, por jo gjithçka, pasi duhet të fitojmë. Unë shënova, por humbëm edhe shumë raste. Duhet të funksionojmë si grup dhe kur të shkojmë në avantazh, të dimë të menaxhojmë ndeshjen për të fituar.

Taktikat i vendos trajneri, që në fund shtoi sulmuesit për të provuar diçka ndryshe, pasi ishim në humbje. Është mendim i tij dhe unë nuk mund të komentoj zgjedhjet e trajnerit.

Futbolli luhet me pasa, por kur jam në fushë unë shoh gjithmonë hapësirat. Pashë një hapësirë dhe provova të shënoj, por nuk funksionon. Gabime ka patjetër dhe unë bëra gabime, por duhet të vazhdoj të provoj për t’u përmirësuar. Në pjesën e parë kemi luajtur shumë mirë, duke mbajtur topin dhe krijuar raste, por në pjesën e dytë qëndruam mbrapa dhe pësuam dy gola, duke humbur ndeshjen”, u shpreh Broja.

Asllani bën autokritikë

Kristjan Asllani tha pas humbjes se mund të luante më tepër, megjithatë i duhet të respektojë zgjedhjet e trajnerit ndërsa shtoi se skuadra duhet të punojë në aspektin psikologjik.

Ndeshja e parë si titullar, a prisje të luaje më tepër? “Normal që doja të luaja më tepër, nuk bëra një ndeshje të mirë dhe e di. Nuk kisha shumë hapësirë dhe ishte e vështirë, trajneri e zgjodhi kështu dhe nuk ka gjë”.

Pjesa e dytë? “Duhet të punojmë në aspektin psikologjik, t’i shohim gabimet dhe të kërkojmë të paraqitemi më mirë në ndeshjet e tjera”.

Ndjeheni komod me zgjedhjet e trajnerit? “Ato i zgjedh trajneri dhe ne duhet ta dëgjojmë trajnerin e të jemi të gjithë bashkë”, u shpreh Asllani.

Bajrami: Nuk e kuptova zëvendësimin, doja të vazhdoja ndeshjen

Nedim Bajrami, ka thënë pas humbjes me 1-2 ndaj Izraelit në “Air Albania”, se duhet të jenë më të zgjuar që të mos gabojnë si mbrëmjen e sotme.

Duke folur për emisionin “Kuqezi” mesfushori theksoi se nuk e kuptoi arsyen pse e zëvendësoi trajneri, por shton se ai ishte i gatshëm për të vazhduar.

Humbja: “Pjesën e parë luajtëm shumë mirë, pjesën e dytë nuk u futëm shumë mirë. Pastaj pësuam dy gola shumë shpejt. Duhet të jemi më të zgjuar e të mos i pësonim ato gola.

Skuadra me ty është më sulmuese: “Pas ndeshjes që kemi humbur nuk e di, besoj se gjithë skuadra ka bërë pjesën e saj, por nuk e di.”

Pse u zëvendësove? “Nuk e di pse, trajneri e bëri atë zëvendësim. Isha fizikisht mirë dhe isha gati për ta vazhduar ndeshjen.”

 


Video