Franca e ka nisur Kupën e Botës në mënyrë të mirë të mundshme ke duke respektuar statusin si Kampione e Botës në fuqi. “Gjelat” fituan dy ndeshjet e para të Grupit D ndaj Australisë dhe Danimarkës dhe tashmë janë kualifikuar për në raundin pasardhës në pritje të ndeshjes së tretë në grup ndaj Tunizisë.
Edhe pse me shumë mungesa si pasojë e dëmtimeve, Kylian Mbappe por edhe Olivier Giroud me Antoine Griezmann, udhëheqin skuadrën përpara në synim të lavdisë. Por, në ditët e ardhshme mund të vijnë sërish lajme pozitive për trajnerin Didier Deschamps pasi duket se Karim Benzema është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe më datë 1 dhjetor do të nisë stërvitjen me Realin e Madridit, sipas RMC Sport.
Nëse sulmuesi ndjehet mirë fizikisht, atëherë pritet të rikthehet pranë grupit të kombëtares pasi trajneri Deschamps nuk e ka larguar emrin e tij nga lista e 26 lojtarëve të grumbulluar. Nëse diçka e tillë realizohet, atëherë Franca do të kishte një armë plus të cilën nuk e kishte llogaritur në nisje të Botërorit, teksa prezenca e Topit të Artë në fushë, i jep një tjetër fytyrë francezëve sidomos kur bëhet fjalë për fazën më të rëndësishme të eventit.