
Kuvendi është “blinduar” nga forca policore. Gardhi metalik i Policisë së Shtetit është vendosur pranë qendrës tregtare në zonë, ndërsa në terren ka shtim të efektivëve dhe prani të autobotëve me ujë, në pritje të mbërritjes së protestuesve.
Seanca e sotme nis në orën 10:00 dhe është e para pas përplasjeve fizike të javës së kaluar në sallën e Kuvendit.
Në rendin e ditës janë parashikuar 12 projektligje, një akt normativ, tri projektvendime dhe një interpelancë me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.
Në sfondin e kësaj seance janë edhe masat disiplinore ndaj gjashtë deputetëve të Partisë Demokratike, të përjashtuar për 60 ditë nga punimet parlamentare pas incidenteve të fundit. Ndërkohë, prania e shtuar e policisë dhe vendosja e gardhit metalik në zonën pranë Kuvendit tregojnë se autoritetet kanë marrë masa për të menaxhuar protestën e paralajmëruar.