Thellohet përçarja e opozitës, Basha dorëzon kandidaturën për kryetar të PD

20 June 2023, 21:19Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Thellohet përçarja e opozitës, Basha dorëzon
Lulzim Basha

Lulzim Basha ka dorëzuar kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike zyrtare. Më herët e pati prezantuar kandidaturën edhe një personazh i panjohur, Gjergji Hani. Sot është afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave që do të filtrohen dhe miratohen së pari nga Kryesia, pastaj zyrtarizohen.

Në këtë mënyrë, duket se edhe PD-ja zyrtare do të ketë skizmën e dytë pas asaj që ndodhi me Sali Berishën.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të mbështetësve të Lulzim Bashës po zhvillohet pa pjesën dërrmuese të deputetëve demokratë.

Ky Këshill miratoi edhe ngritjen e Komisionit Zgjedhor që do administrojë procesin elektoral për kreun e ri të partisë në 29 Korrik.

Kjo mbledhje që duhet të ishte bashkuese duket se thelloi edhe më tej hendekun mes demokratëve.

17 deputetë që përbëjnë edhe shumicën në grupimin “Bardhi” e bojkotuan këtë mbledhje me argumentin se është në shkelje flagrante të statutit dhe vetë rregullores së brendshme të miratuar në 15 Janar të vitit të kaluar nga Këshilli Kombëtar.

Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhit dhe 16 deputetët që e mbështesin, janë shprehur se nuk do të njohin asnjë proces që bie ndesh me statutin.

Rikthimi i Bashës

Basha është rikthyer me takime me të rinjtë në kryeqytet një vit pas dorëheqjes së tij pikërisht nga posti i drejtuesit të kësaj partie. Më 24 Maj të këtij viti, ai foli për listat e hapura, vetingun e politikanëve, kufizimin e mandateve për kryeministrin dhe votat e emigrantëve.

Ai pati dhënë dorëheqjen më 21 Mars të vitit 2022, pas 9 vitesh në krye të partisë më të madhe opozitare në vend. Asokohe, Basha e arsyetoi dorëheqjen e tij duke thënë se PD ishte në një krizë të thellë dhe ky vendim do t’i hapte rrugë bashkimit të demokratëve.


Video