Reforma territoriale, Rama mbledh kryebashkiakët në Kuç të Vlorës

12 August 2026, 12:02Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Reforma  territoriale, Rama mbledh kryebashkiakët në Kuç
Edi Rama në Kuç

Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë sot një takim në Kuç, ku në qendër të diskutimeve pritet të jetë reforma e re administrativo-territoriale dhe riorganizimi i bashkive.

Takimi pritet të mbahet rreth mesditës dhe në të do të marrin pjesë kryebashkiakë të bashkive që preken nga propozimi i ri për shkrirje apo riorganizim, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor.

Në takim pritet të jenë edhe ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, dhe kreu i Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku.

Në fokus të konsultimeve është edhe Bashkia Selenicë, e cila sipas draftit të Partisë Socialiste, të paraqitur në fund të korrikut, propozohet të riorganizohet. Drafti parashikon reduktimin e numrit të bashkive në 46.

Selenica është përfshirë në konsultimet për hartën e re territoriale, ndërsa Komisioni i Posaçëm Parlamentar ka zhvilluar konsultime edhe në qarkun e Vlorës, ku bëjnë pjesë bashkitë Vlorë, Selenicë, Sarandë dhe Delvinë.

Propozimi për bashkimin e Selenicës me Vlorën është kundërshtuar nga kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, i cili ka kërkuar që bashkia të vijojë të funksionojë më vete. Në mbështetje të këtij qëndrimi është shprehur edhe deputeti socialist Vullnet Sinaj.

Takimi i sotëm në Kuç zhvillohet në kuadër të konsultimeve për reformën e re administrativo-territoriale dhe pritet të hedhë më shumë dritë mbi qëndrimin e qeverisë dhe propozimet konkrete për të ardhmen e Selenicës dhe bashkive të tjera që preken nga drafti.


Video