Kryebashkiaku i Divjakës, Josif Gorrea ka reaguar pas një video-skandali të publikuar në rrjetet sociale ku ai dëgjohej teksa ofendonte disa banorë që protestonin për hedhjen e mbetjeve.
Ai tha se video është regjistruar 15 ditë më parë kur Inceneratori i Fierit kishte një defekt, dhe kamionët ishin kthyer për të hedhur mbetjet në një landfill të vjetër të Bashkisë Divjakë.
“Aty atë ditë janë hedhur dy kamionë më mbetje pasi ka pasur raste që djegësi i Fierit nuk ka punuar. Kishte probleme ato ditë dhe i shkarkuam aty dy kamionë dhe po i mbulonim”, tha Gorrea për Reporter.al.
Sipas Gorresë, aktualisht nuk ka pasur më probleme në inceneratorin e Fierit dhe po vijojnë t’i shkarkojnë atje.
“Video ka 15 ditë që është bërë. Ata janë ish-punonjës të Bashkisë Divjakë. Ne shkuam dhe i mbuluam. Ajo është një pikë grumbullimi prej 15 vjetësh. Ajo situatë ka ndodhur për shkak të qefmbetjeve si pasojë e riorganizimit të organikës së bashkisë. Nuk janë banorë, por punonjës dhe ish-punonjës. Është prerja e fijeve të abuzimeve me detyrën, pasi rrinin kot”, tha ai.
Lidhur me gjuhën e përdorur, ai tha se çdo njeri ka momentet e veta.
“Edhe njeriu ka momente dhe ai ka qenë një moment i keq. Ndodhi pasi u provokua nga një punonjës bashkie që i ka hedhur mbetjet urbane atje për dhjetë vjet dhe merret tani me mua që kam rreth një muaj në drejtim të bashkisë. Unë me atë isha i nxehur se më ka provokuar dy tre herë më parë”, tha Gorrea.