Vendet e rajonit janë bërë bashkë në Samitin Rajonal të Guvernatorëve, ministrave të Financave dhe drejtorëve të Administratës Tatimore, të mbajtur në Budva të Malit të Zi për të diskutuar mbi çështjet më të rëndësishme që kanë ndikuar në ekonomitë e tyre siç janë pandemia Covid 19 si dhe lufta në Ukrainë dhe për të shkëmbyer eksperiencën me qëllim identifikimin e zgjidhjeve më të mira për bizneset dhe qytetarët si dhe shmangien e recensionit.
Në Samit janë bërë pjesë përfaqësues të lartë nga Shqipëria, Kosova, Mali i zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Serbia, Sllovenia dhe Bosnje-Hercegovina.
Vendi ynë u përfaqësua nga zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, e cila theksoi se Shqipëria po synon që të ulë inflacionin në 3%, i cili aktualisht është 4. 6 për qind. Sipas saj, nëse parashikimet dhe synimet shkojnë siç duhet, atëherë Shqipëria mund ta ketë inflacionin më të ulët në Evropë. Ajo ka treguar se si çdo shtet në botë edhe Shqipëria është prekur nga një nivel i lartë inflacioni, sidomos gjatë vitit të kaluar. “Edhe ne jemi prekur nga inflacioni. Për muajin Prill 2023, niveli i inflacionit u regjistrua në 4.6 për qind. Mirëpo, jemi më mirë se shumë vende të rajonit.
Por, synimi ynë është që ai të ulet, madje deri në 3 për qind”. Minxhozi ka numëruar edhe sfidat me të cilët është ballafaquar shteti në vitet e fundit. “Shqipëria ka pasur disa vite të rënda. Jemi prekur nga tërmeti, ku janë shkaktuar dëme të mëdha në shumë qytete. Po ashtu edhe nga Covid jemi prekur, si çdo shtet i botes, dhe së fundmi edhe me luftën në Ukrainë që ka pasur një ndikim në ekonomi”.
Në këtë Samit janë duke i diskutuar tema të ndryshme për ekonominë e shteteve, si papunësinë, mungesa e fuqisë punëtore, rritjen e pagave, informaliteti, administrimi i të ardhurave tatimore dhe gjetja e mënyrave më të përshtatshme për të formalizuar ekonominë.
Në Samitin Rajonal, të gjitha shtetet kanë treguar gjendjen ekonomike dhe financiare me të cilat po përballen vendet e tyre dhe masat që janë marrë në funksion të minimizimit të pasojave.
Përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë theksuar se nga Covid dhe lufta në Ukrainë kanë pësuar goditje ekonomike derisa kanë treguar se inflacioni, rritja e çmimeve e normat e interesit tek kreditë janë temat që po diskutohen më së shumti në vendet e tyre.
Në Serbi inflacioni aktualisht është mbi 8 për qind. Në Mal të Zi është 17. 2 për qind, në Kosovë mbi 10 për qind, në Kroaci afro 8 për qind, në Shqipëri 4.6 për qind. Sllovenia ka një nivel inflacioni në 9.4 për qind, Bosnje dhe Hercegovina 7 për qind, ndërsa Maqedonia e Veriut, arrin rekordin me një nivel inflacioni 13.4 për qind.