Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh këtë të enjte se situata në veriun e Kosovës është dramatike.
Duke komentuar reagimet e kryeministrit Edi Rama për këtë çështje, Berisha tha se kreu i qeverisë i ka futur “thika pas shpine” Kosovës dhe se ka qenë një ndihmës i Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
“Mendoj se situata në veriun e Kosovës, plumbat e bandave serbe në jelekët, por edhe plagosjet e ushtarëve të KFOR-it dëshmojnë se aty situata është më dramatike, më kritike se asnjëherë më parë që nga lufta e çlirimit të Kosovës. Mendoj se kjo shënon një degradim të paralajmëruar të gjendjes në veriun e Kosovës, të paralajmëruar për ata që e kanë të qartë se nacionalizmi serb në të gjithë qenien, ekzistencën, projektin e tij ka vetëm Serbinë e madhe dhe nuk ka asnjë projekt tjetër. Edi Rama ka qenë këto vite një ndihmës i shpifur i Aleksandër Vuçiç dhe ka futur thika pas shpine Kosovës në çdo moment. Në këtë kontekst, mos harroni fjalët e tij. “kur të fillojë lufta do më kërkoni mua që t’ju ndërmjetësoj tek vllai Vuçiq. Edi Rama është një aset i shpifur në duart e Vuçiçit”, u shpreh Berisha.
Sa i përket reagimeve të ndërkombëtarëve për masa dhe sanksione, Berisha tha se druan se ato mund të lexohen si inkurajim nga Vuçiç.
“Druaj se dënimet dhe sanksionet ndaj Kosovës lexohen si inkurajim nga nacionalisti i verbër Vuçiç ndaj jam skeptik që ato mund të ndikojnë pozitivisht në stabilitetin dhe paqen në rajon”, u shpreh Berisha.