PS nuk e largoi djalin e Aqif Rakipit, reagon Lulzim Basha: Rama mburoja e ‘non gratave”!

19 April 2022, 14:40Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PS nuk e largoi djalin e Aqif Rakipit, reagon Lulzim Basha: Rama mburoja e
Në foto:Ish kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish deputeti Aqif Rakipi

Deputeti i PD, Lulzim Basha ka reaguar me anë të një postimi në "Facebook" për vendimin e Grupit të PS-së, i cili vendosi të mos largojë djalin e Aqif Rakipit, Ornaldo Rakipi.

Ish kreu i Partisë Demokratike ka kërkuar nga Edi Rama t’i përgjigjet pyetjes: “për kë bleu vota Aqif Rakipi dhe krimi i organizuar në 25 prill?”.

Postimi i Lulzim Bashës:

“Edi Rama është mburoja e non gratave sepse pa ta ai nuk qëndron dot në pushtet. Pa ta nuk bën dot afera si ato të inceneratorëve, pa ta nuk ndan dot administratën si plaçkë, pa ta nuk e shpërndan dot buxhetin e shtetit sipas orekseve të të babëziturve që përdor për të shkatërruar zgjedhjet.

Këto fakte të njohura nga çdo shqiptar pasqyrohen edhe në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe motivet e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara.

Pyetja që shtrohet sot është: për kë bleu vota Aqif Rakipi dhe krimi i organizuar në 25 prill?

Edi Rama e di përgjigjen e kësaj pyetje, prandaj po mbron ortakët e tij në këtë krim zgjedhor, pa të cilët nuk do të ishte në pushtet.

Sot, për qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë, është më e qartë se kurrë se kush do një Shqipëri të pastër nga korrupsioni dhe politikanët e lidhur me krimin, dhe kush do që asgjë të mos ndryshojë në këtë vend dhe që ata që e kanë shpopulluar dhe varfëruar Shqipërinë, të pasurohen edhe më shumë në kurriz të shumicës së ndershme të shqiptarëve”, thekson Basha.


Video