Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se qindra e mijëra demokratë janë nisur dhe po vijnë në Tiranë, për protestën e dytë kombëtare që do të mbahet nesër. Ai ka thënë se ata do të lënë punën dhe në orën 12.00 do jenë para Kryeministrisë.
“Shfrytëzoj rastin t’u bëj një thirrje nga zemra shqiptarëve kudo që janë, të shpreh mirënjohje për të gjithë ato qindra e mijëra që kanë ardhur në Tiranë dhe po vijmë. Të tjerë që nesër në ora 12:00 do të lenë punë dhe çdo gjë dhe do të bashkohemi…”, u shpreh Berisha në Opinion.
Blendi Fevziu: Nesër çfarë prisni nga protesta?
Sali Berisha: Më madhështore, më të fuqishme, nesër është sipari i revolucionit.
Blendi Fevziu: Po edhe para dy javësh ishte sipari i revolucionit…
Sali Berisha: Sipar prap, prap një etapë e dytë e madhe e revolucionit. Vazhdon revolucioni demokratik, të jenë të bindur se nuk ka të ndaluar gjerë në fitore. Shfrytëzoj rastin t’u bëj një thirrje nga zemra shqiptarëve kudo që janë, të shpreh mirënjohje për të gjithë ato qindra e mijëra që kanë ardhur në Tiranë dhe po vijmë. Të tjerë që nesër në ora 12:00 do të lenë punë dhe çdo gjë dhe do të bashkohemi njëlloj si 577 vite më parë, bashkimi i shqiptarëve në Lezhë…
Blendi Fevziu: Besëlidhja e Lezhës…
Sali Berisha: Besa e tyre për të luftuar pushtuesin i bëri ata të arrijnë fuqinë mbinjerëzore.
Blendi Fevziu: Aty u bashkuan prijësit zoti Berisha, ti s’po merr dot as partitë e vogla të djathta.
Sali Berisha: Tani është koha e qytetarit princ zoti Fevziu. Princ tani është qytetari. Revolucioni është i qytetarit, ndaj dhe unë i ftoj me gjithë zemër të vijnë nesër të gjithë qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë të demonstrojnë protestën tonë, të demonstrojnë përmasat e revolucionit tonë.