Ish-sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka zhvilluar sot një vizitë edhe në selinë e Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (MEK) në Shqipëri, si dhe u takua me Maryam Rajavi, Presidenten e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.
Duke shprehur kënaqësinë e takimit me banorët, Pompeo pohoi: “Sot këtu janë mbledhur 1000 ish të burgosur politikë të regjimit teokratik. Unë dua t'ju them, nga një ish-sekretar shteti, se Amerika ju njeh dhe ju respekton thellësisht. Vuajtjet tuaja në emër të lirisë na rikujtojnë parimet për mbrojtjen e të cilave vendi ynë u themelua shumë vite më parë.”
Ndër të tjera, Pompeo tha: “Ebrahim Raisi, kasapi që orkestroi masakrën e 1988-ës, tani është president… Pjesëmarrja ishte më e ulëta që nga viti 1979, duke shënuar një refuzim total të regjimit dhe kandidatit të tij. Ishte, në fakt, një bojkot i regjimit – dhe regjimi e di këtë. Ai është qartazi në pikën e tij më të dobët prej dekadash.”
Ne duhet të vazhdojmë ta mbështesim popullin iranian në çdo mënyrë që mundemi teksa ata luftojnë për një Iran më të lirë dhe më demokratik. Ka kaq shumë punë të mira që shoqëria civile amerikane mund të bëjë për ta çuar përpara këtë qëllim. Punë në të cilat organizata juaj është e angazhuar në mënyrë aktive.
Në fund, populli iranian do të ketë një republikë laike, demokratike dhe jo bërthamore. Lutem që kjo ditë të vijë së shpejti, dhe me mbështetjen e iranianëve që jetojnë në mbarë botën – dhe atyre që bëjnë rezistencë nga brenda vendit – ajo ditë do të vijë më shpejt. Unë jam i përkushtuar në këtë kauzë; e di që jeni edhe të gjithë ju”, theksoi ai.
Ndërsa i uroi mirëseardhjen ish-sekretarit Pompeo në Ashraf-3, zonja Rajavi tha: “Populli iranian dhe regjimi i mullahëve janë përballur egërsisht me njëri tjetrin në 43 vitet e fundit. Kjo luftë do të vazhdojë derisa në Iran të krijohet një republikë e lirë dhe e zgjedhur në mënyrë demokratike…. Ekzistojnë dy faktorë të rëndësishëm për konfliktin në Iranin e sotëm:
Gjendja e dobësisë maksimale e regjimit dhe zemërimi dhe pakënaqësia maksimale e popullit. Rezultati i këtyre faktorëve ka qenë përparimi dhe zgjerimi i Rezistencës së organizuar. Perëndimi e ka shpërfillur popullin iranian dhe rezistencën e tij të organizuar si njëfaktor vendimtar në çdo zhvillim që ka të bëjë me Iranin për katër dekada. Kjo u mundësoi mullahëve të ishin në prag të krijimit tënjë bombe bërthamore. Injorimi i popullit iranian dhe i rezistencës së tij ishte faktori që mungonte, gjë që shpjegon pse Perëndimi u zu në befasi gjatë Revolucionit të vitit 1979 që rrëzoi Shahun.
Rajavi e mbylli fjalën e saj duke theksuar se “ne mund dhe duhet ta çlirojmë Iranin, Lindjen e Mesme dhe botën nga e keqja e mullahëve bërthamorë”.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Pompeo mori titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës.
Pompeo, ish-drejtor i CIA, është një nga emrat më të lakuar për të qenë kandidat në zgjedhjet presidenciale të 2024.
Muaj e fundit, ai është përfshirë në vizita të shumta brenda SHBA por edhe jashtë vendit.
Zakonisht ish-Sekretarët e Shtetit në SHBA sigurohen për 180 ditë pas lënies së detyrës. Por në rastin e Pompeo kjo është zgjatur.
DASH thotë se paguan më shumë se 2 milionë dollarë në muaj për t’i ofruar 24 orë siguri ish-Sekretarit të Shtetit dhe ndihmësve kryesore të tij për shkak të kërcënimeve nga Irani.