Ish sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe krahu i djathtë i Lulzim Bashës, Gazment Bardhi, denoncon se një ish ministër demokrat ka arritur të ketë një vilë luksoze me vlerë 760 mijë euro.
Bardhi tha në News24 se kjo vilë është e pajustifikuar dhe tha se ajo i përket një deputeti në grupin e Rithemelimit të PD dhe ish-ministër në qeveri të Sali Berishës.
Bardhi refuzoi të publikojë konkretisht emrin e pronarit të kësaj vile, megjithatë janë 4, emrat që korrespondojnë me detajet që dha Bardhi.
Ata janë Flamur Noka, Bujar Leskaj, Edmond Spaho dhe Tritan Shehu.
Bardhi pohoi se vila ndonëse sipas tij i përket ish ministrit, është me emër tjetër.
Ai shtoi se vila ka dalë në shitje në një real estate dhe ende nuk është shitur.
Për Bardhin, ky ish ministër po mban peng opozitën: "Pyetje për “opozitën e vërtetë”; vilën 760 mijë euro, e shitën apo spo ia blen askush? Nuk mund të mbash peng opozitën për një vilë të pajustifikuar që të ka zbuluar dhe me të cilën të mban peng Edi Rama!"