Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, sulmoi kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin, pas raportimit të tij në Kuvend.
Sipas Berishës, “Dumani refuzonte të merrte pyetje nga deputetët, një akt i pashembullt që tregon arrogancë dhe frikë”.
Ai shtoi se “Dumani fliste si i kapur, sepse nuk duronte dot pyetjet, i dukeshin si shigjeta”.
Berisha akuzoi Dumanin për “mos-hetim të aferave korruptive të qeverisë”, duke u shprehur se “SPAK merret me çështje të paqena, ndërsa Rama dhe bashkëpunëtorët e tij kanë vjedhur pa fund”.
Duke e akuzuar Dumanin si “amnistues të krimit elektoral”, Berisha tha se “kreu i SPAK citoi Edi Ramën dhe justifikoi patronazhistët”.
Më tej, Berisha ngriti edhe një pyetje. “Kush e heton Altin Dumanin? Askush! Ai është bërë avokat privat i aferave të Edi Ramës”.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fund të konferencës së tij, u shpreh se është pro krijimit të një parlamenti me dy dhoma.
“Unë jam dakord që parlamenti të bëhet me dy dhoma, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve. Senati është i dobishëm, shumë vende e kanë”, tha Berisha.
Ai shtoi se PD kërkon që vendit të ketë më shumë bashki dhe një reformë territoriale me ekspertët më të mirë evropianë, ndërsa theksoi se “nëse do të duhet që parlamenti të ketë Senat, do të ulemi në tryezë me mazhorancën”.