
Partia Demokratike akuzon se më shumë se gjysma e tenderave të dhënë në fushën e shëndetësisë janë korruptivë.
“Nga premtimi për shëndetësi falas, në fakt shëndetësia u kthye në gropën e zezë të korrupsionit e cila ka detyruar shqiptarët të paguajnë nga viti në vit edhe më shumë para nga xhepat e tyre për shërbime shëndetësore. Në një raport të fundit të Organizatës Together for Life theksohet se mbi 55 për qind e tenderëve të zhvilluar nga viti 2016 deri në dhjetor të vitit 2021 në shëndetësi kishin vetëm një operator pjesëmarrës në garë. Edhe aty ku u përdor garë e hapur ajo nuk ishte rale, pasi kriteret u përpiluan për të favorizuar kompanitë e lidhura me autoritetin kontraktor”, deklaroi koordinatori i PD-së për shëndetësinë, Gazmend Koduzi.
Sipas opozitës, korrupsioni nuk u frenua as gjatë pandemisë.
“Që nga fillimi i pandemisë autoritet shëndetësore zhvilluan 198 procedura prokurimi mbi përballimin e Covid-19 me vlerë mbi 35 milionë euro. Gjysma e tyre, u bënë vetëm me një operator konkurrues, të cilët përfituan në fondin limit. Nga marsi 2020 deri në maj 2021, institucionet e shëndetësisë kontraktuan 60 kompani për furnizime me materiale, që kishin lidhje me pandeminë, nga të cilat 11 kompani, ishin sekrete, procedurë e cila i mundëson qeverisë të mos bëjë transparencë e parave e të fshehë abuzimin”, vijoi Koduzi.
PD thotë se në raportin e “TFL” veçohet prokurimi i drejtpërdrejtë për blerjen e 54 respiratorëve me 1.1 milionë euro, nga të cilat një kompani fituese e kontratës sekrete solli vetëm 5 respiratorë.
“Abuzimi me tenderët e shëndetësisë paraqitet edhe në raportin e Transparency International ku theksohet se qeveria ka përdorur pandeminë e Covid-it si pretekst për të mos dhënë informacion për shpenzimet publike e po kështu edhe FMN-në thotë se prokurimet emergjente për përballimin e pandemisë nuk ishin transparente. Korrupsioni dhe abuzimi me tenderët ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për institucionet ndërkombëtare. Gjykata Europiane e Auditit ka theksuar se në Shqipëri 30% e tenderëve publikë janë të paracaktuara”, vijoi Koduzi.
PD i bëri thirrje SPAK që të hetojë këta tendera.