Presidenti Ilir Meta në një konferencë për mediat i është rikthyer edhe një herë marrëveshjes Rama-Basha, 17 majin e vitit 2017.
Sipas Metës, ajo ishte një marrëveshje e turpshme, ndërsa u shpreh se pjesë e marrëveshjes ka qenë edhe djegia e mandateve.
"Po kështu shembja e teatrit Kombëtar 3 vite pas marrëveshjes dhe pikërisht më 17 maj ishte pjesë e një bashkëpunimi të qartë dhe tashmë është pjesë e një politike të mirëstrukturuar për të zhbërë dinjitetin kombëtar.
Gjithashtu shitja e zgjedhjeve të 25 prillit te pushteti, madje duke prishur në heshtje marrëveshjen e hapur të 5 qershorit pa dyshim ishte pjesë e marrëveshjes së 5 viteve më parë. Ishte pjesë e kësaj marrëveshje bojkoti i reformës në drejtësi që bëri ajo lloj opozite që lehtësoi kapjen e drejtësisë së re nga gryka nga qeveria aktuale. Pasojat janë të njohura, bllokimi i integrimit europian dhe shpopullimi më i rëndë, dramatik i vendit.
Shumica e familjeve shqiptare i dinë dhe i ndiejnë kostot e kësaj marrëveshjeje çdo ditë në jetën e tyre. Ndihen jo vetëm të nëpërkëmbur, të shpërfillur nga arroganca e pushtetit dhe të pambrojtur nga opozita e facebook-eve. Nuk duhet të harrohet kurrë 17 maji se jam i sigurt se 17 maji i ardhshëm do jetë diçka tjetër se nuk do harrojmë atë marrëveshje të turpshme që ndodhi në errësirë 5 vite më parë kundër demokracisë, kundër të drejtave më bazike të qytetarëve shqiptare. Në 5 vite përfituan një grup oligarkësh. U dërrmua familja e thjeshtë shqiptare, shtresa e mesme që është varfëruar dhe ajo më e varfra që është dërrmuar fare", tha Meta.