Prej disa javësh, gazetari Blendi Fevziu ka përdorur një fjalor të rëndë ndaj Lulzim Bashës që kur ky i fundit dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike.
Sot, Blendi Fevziu e ka rënduar edhe më tej fjalorin ndaj Lulzim Bashës duke e konsideruar një kufomë politike.
Ndërsa solli shembullin e Albin Kurtit i cili u largua nga politika dhe pas 8 muajsh shkëputje u rikthye fitues, gazetari tha se ky nuk mund të ishte rasti i Bashës.
“Lulzim Basha praktikisht ishte një aset i Partisë Demokratike dhe mbetet një aset qeverisës. Mund të jetë një ministër shumë i mirë në nivele të caktuara. Lulzim Basha dëshmoi dy defekte të mëdha, e para që nuk pati stop politik dhe e dyta që shpërdoroi të gjitha mundësitë e tij,” u shpreh Fevziu për Euronews Albania.
Sipas gazetarit, më 25 prill të gjithë faktorët e shoqërisë shqiptare u vunë në funksion të tij. Jo për Bashën kryeministër, por për të mundur Edi Ramën. “Pavarësisht kësaj ai nuk mundi të fitonte”, tha Fevziu.
Derisa Basha ishte kryetar i PD-së, Blendi Fevziu, kritikat ndaj Bashës i kishte të moderuara. Por tashmë me rikthimin në lojë të Sali Berishës për të rimarrë drejtimin e PD-së, i gjithë arsenali mediatik i Tv Klan të Aleksandër Frangajt ka drejtuar “artilerinë” e akuzave drejt Lulzim Bashës.