Në kuadër të organizimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare, sot në orën 08:30, në godinën e kryeministrisë u ngrit flamuri i Bashkimit Europian. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama si dhe përfaqësues të BE-së
‘Ngritja e këtij flamuri sot në selinë e kryeministrisë shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel. Ky moment shënon edhe ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënies së shoqërisë dhe qytetarit shqiptar me standardet europiane.’- tha Rama.
Negociatat do të jenë në fokus edhe në mbledhjen e grupit parlamentar Socialist në orën 10:00, në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Kjo mbledhje vjen një ditë përpara seancës së fundit diskutuese parlamentare të këtij viti, do të përmbyll angazhimin 1 vjetor të deputetëve.
Një ditë më parë (19 korrik) Shqipëria shënoi një hap historik drejt integrimit të vendit në BE, atë të çeljes së negociatave, pas pritjes disa vjeçare. Kryeministri Rama tha se tashmë bëhet fjalë për një rrugëtim për jetë a vdekje në në vrapin e fundit drejt anëtarësimit të plotë.