Kryeministrja e Italisë, Goirgia Meloni pritet të mbërrijë në vendin tonë ditën e sotme, pasi është nisur me traget së bashku me familjen e saj për të kaluar disa ditë pushime në Vlorë.
Mediat italiane shkruajnë se Meloni ka ndërprerë pushimet e saj në Pulia, pranë Ceglie Messapica, për t'iu përgjigjur ftesës së homologut shqiptar, Edi Rama.
Ajo është nisur me një traget nga Brindisi me bashkëshortin e saj Andrea Giambruno, vajzën Ginevra dhe ndoshta edhe me motrën e saj Arianna dhe bashkëshortin e saj ministër, Francesco Lollobrigida.
Vizita e Melonit është private, dhe ajo do të qëndrojë dy apo tre ditë në Vilën Qeveritare në Vlorë.
Ftesa e Ramës për Melonin vjen në një kohë kur kryeministri shqiptar u bë kryefjalë e mediave në Itali, pasi shpërndau një fotografi "meme" ku tregohej se si qindra-mijëra italianë kanë zgjedhur vendin tonë për të kaluar pushimet këtë verë.
Sipas statisitkave, pritet që numri i italianëve që knë vizituar vendin tonë këtë vit ta kalojë 500,000.