Sali Berisha ka ardhur sërish në krye të Partisë Demokratike. Por lajmi ishte heshtja totale e faktorit ndërkombëtar. Asnjë diplomat nuk e uroi Berishën për rikthimin në krye të PD-së. Madje as Partia Popullore Evropiane, ku PD bën pjesë.
I pyetur sot nga gazetarët se pse nuk ka marrë asnjë urim, Berisha tha se Partia Popullore Evropiane mban një qëndrim neutral, dhe se asnjëherë nuk ka uruar.
“Nuk mbaj mend kur jam zgjedhur herë të tjera të kem pasur ambasador që të më kenë uruar. Unë nuk mbaj mend në memorien time. PPE siç e keni marrë vesh ju për momentin mban një qëndrim neutral por zëri ynë në PPE do të jetë i pranishëm”, tha Berisha për gazetarët.
Por kjo deklaratë është e gënjeshtërt. Voxnews sjell në vëmendje urimin e Partisë Popullore Evropiane për Lulzim Bashën kur ky i fundit u rizgjodh në krye të PD-së vitin e kaluar.
Në mesazhin e saj, PPE njofton se pas kësaj fitoreje, do të vazhdojnë më të fortë dhe më të bashkuar betejën për Shqipërinë europiane e demokratike.
“Urimet tona të përzemërta për Lulzim Bashën të partisë sonë simotër. Partia Demokratike, për rizgjedhjen e tij bindëse si kryetar i partisë. Le të vazhdojmë më të fortë dhe të bashkuar betejën tonë për një Shqipëri të zhvilluar, demokratike dhe Europiane”, uronte PPE në atë kohë.
Ndërkohë, para një jave, deputeti kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum ka bërë një deklaratë të fortë kundër ish-kryeministrit Sali Berisha, e para në qarqet evropiane. Ai është folës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështje të Bashkimit Evropian dhe një njohësi i mirë i zhvillimeve në Shqipëri, por edhe në Ballkanin Perëndimor. Në një intervistë që ka dha për Detutche Welle ai ka qenë mjaft i prerë për rikthimin e Berishës në krye të PD.
“Së pari, më vjen shumë keq për zhvillimet në PD dhe nuk jam i vetmi. Sigurisht që është çështje e vetë partisë se kë dëshiron të zgjedhë për lider. Neve nuk na takon të ndërhyjmë. Por kjo do të thotë edhe për ne dhe për mua personalisht, se unë do të vazhdoj të punoj dhe ta mbështes PD-në vetëm nëse jepet një sinjal largpamës në përzgjedhjen e kryetarit.
Nëse nuk do të jetë kështu, por do të ketë kthim në të djeshmen, në mos të pardjeshmen, atëherë kjo nuk mund të gjejë mbështetjen time personale. Në një rast të tillë, unë do të angazhohesha që të pezulloheshin procedurat për anëtarësim në nivel të Partisë Popullore Evropiane. Sepse ne, si parti Parti Popullore Evropiane duhet të ecim përpara”, tha Krichbaum.