Shqipëria dhe Britania e Madhe kanë nisur zbatimin e marrëveshjes së arritur për transferimin e të burgosurve shqiptarë të dënuar nga drejtësia britanike. Grupi i parë i të transferuarve përbëhet nga 200 të dënuar për krime të rënda, një pjesë e mirë e të cilëve janë me burg përjetë.
Transferimi i tyre në burgjet shqiptare do të rrisë presionin e mbipopullimit ndaj këtyre institucioneve.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në prill janë gati 4900 qytetarë që mbahen në qeli. 2200 prej tyre janë të dënuar, ndërsa 2600 janë të paraburgosur në pritje të vendimit të gjykatave.
Nëse shifrës prej 4900 i shtojmë 200 të dënuarit që do të transferohen nga Britania e Madhe, totali do të shkojë në 5100, ose në kapacitetin normal të plotë të burgjeve shqiptare.
Të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë dhe të INSTAT tregojnë se në vitin 2015, burgjet shqiptare ishin mbipopulluara me gati 10 për qind. Në atë kohë në qeli mbaheshin rreth 5300 persona.
Për të zgjidhur problemin e mbipopullimit, në marrëveshjen e nënshkruar me Britaninë e Madhe, parashikohet që Londra të ndihmojë financiarisht Shqipërinë në shtimin e kapaciteteve dhe modernizimin e burgjeve shqiptare.
Investimet britanike mund të çojnë në zbatimin e mëtejshëm të marrëveshjes, për të transferuar drejt Shqipërisë të gjithë të dënuarit shqiptarë në Britaninë e Madhe. Sipas të dhënave të autoriteteve atje, në 2022 shqiptarët përbënin komunitetin më të madh të huaj të dënuar me mbi 1300 të tillë.