Shtyhet për të tretën herë seanca për Fatmir Mediun, më 7 qershor jepet pretenca

24 May 2023, 12:44Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shtyhet për të tretën herë seanca për Fatmir Mediun,
Fatmir Mediu

Në Gjykatën e Posaçme është shtyrë sërish seanca për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediut sa i takon çështjes së Gërdecit.

Ditën e sotme pritej pretenca, pra që Prokuroria e Posaçme të lexojë konkluzionet për Mediun, të cilin e ka marrë të pandehur për dy vepra penale, por dy avokatët e Mediut nuk u paraqitën. Seanca u vendos të mbahet më 7 qershor ora 14:00.

Kjo është hera e tretë që shtyhet seanca në të cilën është parashikuar të jepet pretenca e SPAK, me po të njëjtën arsye, pasi nuk janë paraqitur avokatët mbrojtës të Mediut.

Avokati Henrik Ligori kishte paraqitur një raport mjekësor dy ditor, përmes së cilit argumentoi edhe mungesën e tij. Nga ana tjetër, avokati tjetër Ardian Visha kishte paraqitur një fletëthirrje gjyqi që kishte në një proces tjetër në Durrës.

Dy prokurorët Klodian Braho dhe Arben Kraja e kanë konsideruar të paligjshëm pretendimin e avokatit kërkuan të caktohet edhe një avokat nga shteti. Do të jetë avokati Artan Simoni që do të përfaqësojë Mediun në seancën e radhës më 7 qershor. Prokurorët e SPAK e bënë kërkesën për avokat shtetit në mënyrë që në seanca tjetër të mos dështojë. Pra, edhe nëse avokatët e Mediut do të mungojnë sërish, nuk do të ketë mundësi për t’u zvarritur seanca, pasi Prokuroria do të lexojë pretencën në prani të avokatit të shtetit.


Video