Në Kamëz ka përfunduar procesi i numërimit të votave për kryetarin e degës së PD Kamëz nga ana e "Rithemelimit" lëvizje e drejtuar nga Berisha.
Mësohet se Arjan Hoxha do të jetë kryetari i ri pasi ka marrë 788 vota. Arjan Hoxha është një emër i njohur për policinë e shtetit. Hoxha ishte njëri nga të pranishmit në vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.
Po kush është Arjan Hoxha?!
Arjan Hoxha është emëruar në vitin 2017 nga vetë Gazment Bardhi, kur u bë ministër Drejtësie, si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Ai ka qenë gjithashtu shefi i sektorit të Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit në kohën e qeverisë së Sali Berishës.
Kryetari i ri i PD në Kamëz, Arjan Hoxha i emëruar pas paktit Rama-Basha, ka arrestuar babain e Sajmir Tahirit, Bashkim Tahirin të dyshuar për kontrabandë ilaçesh disa vite me pare. Ai u lirua nga detyra gati një muaj pasi PS-ja mori pushtetin bashkë me 7 efektivë të tjerë. Siç deklaronte vetë Hoxha lirimi nga detyra ishte pasojë e hakmarrjes politike nga ministri i Brendshëm, i asaj kohe Sajmir Tahiri.
Çfarë deklaronte në prill 2014:
Ish-shefi i sektorit të Krimit Ekonomik, Arjan Hoxha, deklaronte gjatë seancës së dytë dëgjimore në Kuvend, se e gjithë struktura në varësi të tij, që finalizoi operacion “Rispedal”, ku u arrestua babai i ministrit Tahiri, është shkarkuar nga detyra.
Hoxha theksoi se e tërë skuadra prej 8 oficerësh është nxjerrë në lirim dhe disa janë transferuar, ndërkohë që shefi i seksionit Ervin Dalipaj është përjashtuar nga policia.
“Të shkarkuar jam unë shefi i sektorit, kryekomisar Arjan Hoxha. Shefi i seksionit, komisar Ervin Dalipaj. Janë transferuar Agron Breçani, Arlinda Kuliçi, Melson Sula, si dhe dy ndihmësspecialistë me gradën ‘inspektor’”, tha Hoxha.
“Për operacionin ku u arrestua babai i ministrit aktual janë liruar katër persona, ndërsa janë transferuar në detyra të tjera efektive të tjerë të njësisë së antikrimit ekonomik që drejtoja unë. Pra, në total 8 efektive të njësisë ku unë punoja kanë pësuar lirime dhe transferime si rezultat i arrestimit të ligjshëm të babait të ministrit aktual, për kontrabande ilaçesh”, – është shprehur Hoxha gjatë fjalës së tij. Ai e komentonte lirimin e tij nga detyra me motivacionin për rifreskim strukture dhe pamundësi emërimi në një detyrë tjetër. “Veprimet e mia në arrestimin e Bashkim Tahiri kanë qenë tërësisht ligjore. Të ligjshëm arrestimin e Bashkim Tahirit e ka vlerësuar dhe Gjykata e Tiranës. Por nuk e di çfarë po bëhet me këtë çështje në gjykatë”, – tha më tej Hoxha. Sipas tij, lirimi i tij nga detyra dhe vartësve të tij nuk kanë asnjë bazë ligjore. “Lirimin e konsideroj si hakmarrje personale dhe politike. Kam qenë shefi i Antikrimit Financiar. Në një nga aksionet u ndalua Bashkim Tahiri. Saimir Tahiri më tha lutu që të mos marr pushtetin. Efektivët që morën pjesë në atë aksion, u liruan. Disa efektivë të tjerë u lëvizën nga detyra. Disa nga kolegët i janë drejtuar Gjykatës”, – deklaroi Hoxha. Ai bëri me dije në seancën e pyetjeve se kishte marrë “kërcënime” nga ministri Tahiri. “Saimir Tahiri më ka thënë pasi është arrestuar babai i tij se: ‘Lutu që të mos fitojmë në zgjedhjet”, është shprehur Hoxha. Ai bëri me dije më tej se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i një partie. “Kam nisur karrierën policore në moshën 18 vjeçare”, – është shprehur Hoxha afro tre vjet më parë.
Ish-shefi i sektorit tha se kishte kërkuar që babai i ministrit të mos cenohej në qeli dhe për këtë gjë kishte marrë falënderimet e tij. “Kam komunikuar me të, e kam garantuar për një gjë: të garantoj që asnjë gërvishtje, shtesë apo rëndesë nuk do kesh për shkak të përfaqësimit politik që ka djali juaj në subjektet politike. Për këtë mund ta thërrisni dhe ta pyesni, ma ka quajtur si mirënjohje edhe pasi ka dalë nga dhomat”, tha Hoxha.
Socialisti Taulant Balla theksoi se Arjan Hoxha natën para aksionit është filmuar në zyrën e ish-ministrit Flamur Noka në shoqëri të Agron Kuliçajt, por kjo është hedhur poshtë nga i akuzuari. Ai theksoi se është i gatshëm të ballafaqohet me ministrin Tahiri për akuzat. Pas seancave dëgjimore, komisioni njoftoi se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të ftohet në seancë dëgjimore, ditën e premte në mesditë.
Kur akuzohej nga PS-ja
Deputetët e maxhorancës kanë publikuar një akt-ekspertizë, në të cilën akuzohet ish-shefi i sektorit të Krimit Ekonomik, Arjan Hoxha, se ka falsifikuar diplomën e Akademisë së Policisë.
Nënkryetari i Komisionit, Taulant Balla, theksoi se në akt-ekspertimin e realizuar nga Dritan Zoto rezulton se Arjan Hoxha ka falsifikuar firmën e ish-drejtorit të Akademisë, Luan Veliqoti.
“Ne e kemi depozituar provën tonë për falsifikim të diplomës nga ana juaj, zoti Hoxha. Dhe, në bazë të ligjit, ne si komision do t’ia referojmë Prokurorisë dhe ju duhet të merrni një avokat që të mbrohesh”, tha Balla. Ndërkohë që Hoxha paraqiti një vërtetim të firmosur nga drejtori aktual i Akademisë së Rendit, Hysni Burgaj, që sipas tij vërtetohej se diploma ishte në rregull.
Madje, Arjan Hoxha sfidoi deputetët duke thënë se: “Ju jam mirënjohës nëse e bëni”, duke e çuar në Prokurori. Ndërsa kryetari i Komisionit, Arben Ristani, tha: “Ekspertiza e PS nuk përbënte provë, sepse nuk është realizuar në një proces të rregullt ligjor”.