Albert Mëlyshi ishte një nga shtatë kandidatët e “Bashkë Fitojmë” që arriti të mundë Partinë Socialiste në zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Në një intervistë për Klan News, ai u pyet në lidhje me ftesën që i ka bërë kryeministrit Edi Rama për bashkëpunim.
Mëlyshi u shpreh se e ka bërë këtë për skeptikët që mendonin se mund të mos ketë bashkëpunim. Po ashtu, shkak ka qenë edhe deklaratat e kreut të qeverisë gjatë fushatës. Mëlyshi u shpreh se është i gatshëm të bashkëpunojë me kryeministrin dhe jo vetëm për interes të Mirditës dhe mirditorëve.
“Do të ketë bashkëpunim patjetër për ata skeptikët që mendonin që mund të mos ketë një bashkëpunim dhe patjetër që është detyrë e kryetarit të Bashkisë, por ashtu edhe e Kryeministrit që për qytetarët që janë të zgjedhur të mund të veprojmë dhe bashkëpunojmë në interes të qytetarëve. Mënyra si është interpretuar është bërë një bujë e madhe. Nuk është asgjë më tepër sesa ajo që qytetarët presin. Fakti që interpretohet në media se një kryetar i një bashkie i opozitës që i bën një ftesë kryeministrit, kjo është diçka normale, në një vend besoj unë edhe europian që të dy, si kryetari i bashkisë dhe kryeministri kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Duke qenë se edhe deklarata e kryeministrit gjatë fushatës elektorale mund të kishte bërë shumë skeptikë edhe nga pjesa e qytetarëve që mund të ketë probleme në bashkëpunimin mes tyre. Unë kam dashur të tregohem edhe publikisht i hapur me kryeministrin dhe me qytetarët që do të jem bashkëpunues jo vetëm me kryeministrin, por me këdo që do të ndihmojë Mirditën dhe këdo që do të bashkëpunojë me mirditorët. Kjo ka qenë ajo që kam dashur të tregoj që jam i hapur të bashkëpunoj në interes të Mirditës pavarësisht forcës politike që përfaqësoj dhe pavarësisht së cilës forcë politike është kryeministri. Ajo që kemi detyrë unë dhe kryeministri është të punojmë maksimalisht në interes të qytetarëve, pasi ata na kanë zgjedhur dhe për ata duhet të punojmë”, u shpreh Mëlyshi.
Ai u shpreh se nuk mendon që të ketë pengesa nga qeveria. Përveç kësaj të fundit, Mëlyshi tha se do të kërkojë financime nga institucione dhe instrumente të tjera si projektet e ndryshme për të trajtuar problemet e bashkisë që do të trajtojë.
“Nuk është në interes të kryetarit të bashkisë, por me qytetarët çdo bashkëpunim që do të ketë me kryetarin e Bashkisë së Mirditës. Ka pafund mundësi përtej qeverisë. Edhe ato do të jenë rrugët që do të ndjekim. Ka instrumente, ka institucione financiare pa fund që financojnë sidomos për ato probleme që kanë emergjente sot bashkia”, tha Mëlyshi.
I pyetur se si mund të pritet kjo nga të djathtët, Mëlyshi u shpreh se për detyrë ka të shohë interesin e Mirditës.
“Unë kam për detyrë atë çka qytetarët e Mirditës sot më kanë ngarkuar që të merrem drejtpërdrejtë me ato që mirditorët më kanë ngarkuar bashkë qoftë edhe me qeverinë për të mirën dhe interesin e mirditorëve”, u shpreh ai.
Kreu i zgjedhur i Bashkisë së Mirditës foli edhe për situatën në Partinë Demokratike. Ai theksoi se selia blu ka nevojë për një hapje të saj. Kjo është ajo që sipas Albert Mëlyshit duhet të shohë kreu i saj, Sali Berisha grupet e tjera brenda saj.
“Ajo çka realisht PD-ja ka nevojë, unë e kam shprehur dhe më parë, ka nevojë për një hapje të saj. Jo vetëm me ato figura që sot dhe dje PD ka patur brenda saj. PD ka nevojë të zgjerohet me individë që kontribuojnë në jetën sociale dhe shoqërore, me mjekë, infermierë, ekonomistë, me të gjitha profesionet, me njerëz të nderuar që duan të japin kontributin e tyre në interes të shoqërisë dhe Shqipërisë. Me këtë mendoj që Doktor Berisha bashkë me të gjitha grupimet e tjera duhet të shohin parësore. Përpara se të shohim brenda grupeve të caktuara, duhet të shohim atë që ka sot nevojë më shumë se kurrë Shqipëria, për një opozitë të fortë, një opozitë që ka një qasje tjetër ndaj qeverisjes dhe patjetër të denoncojë dhe ngrejë zërin në interes të qytetarëve. Unë mendoj që Berisha duhet të reflektojë rreth kësaj. Duhet të ngrejë grupe pune në mënyrë që të kemi një hapje të PD-së dhe kjo jo për t’i parë si të njerkës dhe të nënës, por si qytetarë që mund të japin kontributin e tyre në interes të PD-së dhe shqiptarëve. Mendoj që këtë duhet të shohë PD-ja dhe doktor Berisha”, u shpreh Mëlyshi.