
Pavarësisht rezultatit në zgjedhjet e 14 Majit, Partia Socialiste ende njeh si udhëheqëse të opozitës Partinë Demokratike që për momentin është pa kryetar pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt. Taulant Balla u shpreh sot se opozita është Partia Demokratike.
“Unë nuk caktoj dot kush është opozita, ajo është e përcaktuar qartë. Opozita është PD, që janë shumica e opozitës. Duhet që për hir të punës së përbashkët të ulemi dhe të diskutojmë çështje që meritojnë që të punojmë së bashku” tha ai.
Por si e parashikon, a do ta gjejë gjuhën e përbashkët me Gazment Bardhin, që është caktuar në krye të grupit nga vetëm 19 deputetë të PD-së?
“Çdo grup parlamentar ka vendimmarrjet e veta. Sa kohë që çështje të caktuara kemi të njëjtin objektiv, sjell mundësinë t’i votojmë së bashku” tha ai.
Por çfarë mendon Taulant Balla për propozimin e Sali Berishës që votimi në zgjedhje të jetë me detyrim? Socialisti nuk e mbylli derën për këtë propozim.
“Këto propozime të shqyrtohen të gjitha në komisionin e reformës zgjedhore. Kemi shtyrë afatin. Të gjithë kemi renë dakord që ky komision të mblidhet dhe të marrë në shqyrtim të gjitha propozimet që vijnë nga raportet e ODHIR-it.
T’i lëmë kohë për zbatimin e legjislacionit. Institucionet të kenë kohë për të zbatuar ndryshimet. Propozimi? Kjo duhet të diskutohet së pari brenda grupit tonë parlamentar dhe e dyta duhet parë në harmoni nga vendet e tjera të BE-së.
Shqipëria e ka pasur para ’90 dhe ndërkohë që pas kemi kaluar në këtë formë por le të jetë një diskutim në komision dhe natyrshëm do të keni edhe pozicionin tonë zyrtar” tha ai.