
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave të opozitës, të cilët pretendojnë se kreu i qeverisë ka kërcënuar institucionet e drejtësisë pasi i kërkoi llogari pse nuk ka ende një nisje hetimi ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ndaj Presidentit Ilir Meta.
Në një postim në Twitter, Rama shprehet se për fjalën "kërcënim" nga opozita duhet të qeshësh dhe të qash me lot. Ai shton më tej se SPAK-u e ka derën e hapur për PS, por nuk mund të godasë njëanshmërisht.
Kreu i qeverisë shprehet se heshtja përballë rreshtit të gjykatësve e të prokurorëve, që Vetingu i nxorri katran me bojë apo mbi dosjet e skandaleve legjendare të krimit shtetëror, nuk mund të tolerohet më.
Reagimi i plotë:
Të qeshësh e të qash me lot! Paskam kërcënuar SPAKUN sipas nongratave që betoheshin se edhe Flota e Shtatë Amerikane po t'i drejtonte tytat nga Lalzi nuk do ta votonin Reformën në Drejtësi! Për mua e për #PS SPAKU rron e punon pa gajle 100 vjet dhe bujrum, derën tonë e ka hapur!
Por gojën nuk kemi për ta mbyllur, që SPAKU të mos godasë njëanshmërisht, po gjithanshmërisht! Roli i mumjes, përballë rreshtit të gjykatësve e të prokurorëve, që Vetingu i nxorri katran me bojë apo mbi dosjet e skandaleve legjendare të krimit shtetëror, nuk mund të tolerohet më!