
Kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur menjëherë reagimit të kreut të SPAK, Arben Kraja, i cili pas deklaratës së kreut të qeverisë bëri me dije se hetimit ndaj ish-kreut të KED-së Ardian Dvorani janë pushuar.
Në një postim në Twitter, Rama shprehet se nuk i heq asnjë presje asaj që tha gjatë Asamblesë së PS-së dhe sipas tij SPAK-u e mori peng gjykatësin Ardian Dvorani pa asnjë arsye, duke i shkuar pas avazit armikut të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës.
Kreu i qeverisë shton më tej se SPAK-u në radhë të parë duhet të sqarojë pse reagoi rrufeshëm për një kallzim absurd për një vepër penale imagjinare të njeriut të shpallur nga DASH kampion i antikorrupsionit,ndërkohë që për kampionët e korrupsionit në drejtësi s'ka lëvizur ende gishtin.
Reagimi i plotë:
"Unë nuk i heq asnjë presje asaj që deklarova sot dhe nuk mjafton që SPAKU të thotë se e paska pushuar çështjen, pasi faktikisht e mori peng gjykatësin në fjalë pa asnjë arsye në botë, duke i shkuar praktikisht pas avazit Armikut NR.1 të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës!
Meqë ka marrë përsipër të sqarohet SPAKU do të duhej të sqaronte pse reagoi rrufeshëm për një kallzim absurd për një vepër penale imagjinare të njeriut të shpallur nga DASH kampion i antikorrupsionit,ndërkohë që për kampionët e korrupsionit në drejtësi s'ka lëvizur ende gishtin!"