
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka "zbritur" në terren për të zhvilluar takime në bazë me demokratët.
Ai ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të degës së Mallakastrës në qytetin e Ballshit, teksa sipas njoftimit, ai do të vijojë takimet në ditët dhe javët e ardhshme edhe në degët e tjera. Në krah të Alibeajt është shfaqur Agron Kapllanaj, i cili u komandua nga Lulzim Basha si kreu i PD-së në Fier.
“Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, njëkohësisht kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, zhvilloi sot një takim me strukturar drejtuese të degës së PD, Mallakastër, takim i zhvilluar në qytetin e Ballshit. Ai ka zgjedhur pikërisht këtë qytet, si startin e takimeve që do zhvillojë me demokratët në të gjithë Shqipërinë në ditët dhe javët në vijim”, - thuhet në një njoftim të PD.
Këto takime vijnë në një kohë kur na ndajnë vetëm dy javë nga zgjedhjet e 22 majit nga "Rithemelimi" për kryetarin e Partisë Demokratike dhe përplasja mes dy kampeve është ashpërsuar edhe më shumë.

