Kryeministri Edi Rama thotë se do të vazhdojë “të bëjë të tijën”, sa i përket çështjes së Kosovës, gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian në Granada të Spanjës.
I pyetur për “konfliktin” në veri të Kosovës, Rama tha se Shqipëria ka bërë më shumë se kurrë ndonjëherë, por shtoi se “nuk mund t’i mbajë ison (këngën) çdo gjëje që thuhet nga Prishtina.
Ai më tej tha se si gjithmonë, edhe në këtë rast, kanë “shpërthyer ujërat e zeza të kinse patriotizmit”, pasi sipas Ramës “patriotizmi është streha e fundit e maskarait”.
Pyetja e gazetares së RTSH: Kryeministër, ju keni qenë një zë i fuqishëm kohët e fundit që pas datës 24 të konfliktit në veri të Kosovës, sa i takon reciprocitetit për sanksione ndaj Serbisë sikurse ka ndodhur më herët me Kosovën. Diskutuat gjatë ditës së sotme ne lidhje me këtë me partnerët europanë?
Rama: Jo, nuk kemi pasur një diskutim specifik për këtë, do të vazhdojmë se kemi edhe darkën e punës, por natyrisht që unë vazhdoj të bëj timen, vazhdoj t’i qëndroj një për një të gjitha bindjeve të mia se nuk janë bindje të krijuara spontanisht, nuk janë gjendje që burojnë nga emocione apo nga erëra që fryjnë nga një drejtim apo një drejtim tjetër apo nga zjarre që ndizen apo fiken, por janë bindje që burojnë nga një vizion strategjik i rolit të Shqipërisë në rajon dhe i marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, në funksion të të cilës Shqipëria ka bërë më shumë se kurrë ndonjëherë atë që duhet të bëjë, por Shqipëria nuk është për të mbajtur iso për çdo gjë që thuhet në bazë të analizës që në të drejtën e tyre bëjnë në Prishtinë. Shqipëria është për të qenë në funksion të Kosovës dhe të njohjes përfundimtare të Kosovës me zërin e vetë dhe nga ana tjetër, kam parë po ashtu që si gjithmonë në këto raste shpërthejnë të gjitha kanalet e ujërave të zeza të kinse patriotizmit që siç thotë ajo fjala, është streha e fundit e maskarait.