Kandidati i ‘BF’ për Bashkinë e Kukësit: Unë do jem kryeshërbëtori i tyre dhe jo kryeagai!

8 September 2023, 14:07Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kandidati i ‘BF’ për Bashkinë e Kukësit: Unë do
Emri Vata, kandidati i opozitës

Emri Vata do të jetë kandidati i opozitës për kryetar bashkie për zgjedhjet e 24 Shtatorit në Kukës.

Zgjedhjet e parakohshme në Kukës mbahen pas shkarkimit të Safet Gjicit të zgjedhur nga radhët e socialistëve. Ai po hetohet për korrupsion pasiv pas skandalit të një video intime me Alma Kaçin.

Vata ka qenë i ftuar ditën e sotme në emisionin "Breaking" në Top News,  ku ka folur për premtimet e tij ndaj qytetarëve kuksianë.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” është shprehur për "Breaking" se ai do jetë kryeshërbëtori i qytetarëve të Kukësit dhe jo kryeagai i tyre.

Vata: Unë gëzoj mbështetjen e demokratëve të Kukësit, me 14 maj ka qenë një masakër e cila ishte e lidhur me krimin. Ne po e drejtojmë fushatën në anën pozitive, që bashkia të jetë sa më afër qytetarëve. Kukësi është elektorat i djathtë nuk ka shans PS të fitojë më qytetin e tonë.

Emri Vata njihet edhe si drejtuesi i operacionit qe arrestoi Klement Balili për herë të parë në vitin 2006. Ai u ndalua së bashku me dy policë të Komisariatit të Sarandës, gjatë një tentative për trafikimin e një sasie prej 750 kg kanabis drejt Greqisë.

Në atë kohë, i ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit” bëri pak muaj burg, për t’u rikthyer në shënjestrën e drejtësisë sërish në vitin 2016.

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Emri Vata,  në vitin 2006 drejtonte edhe operacionin ku Balili u vu në pranga.

Kujtojmë se për këto zgjedhje forcat politike kanë pasur afat deri me datë 1 shtator për t'u regjistruar në KQZ si subjekte zgjedhore, ndërsa kandidatët jo më vonë se data 8 shtator.

Tashmë siç dihet opozita do të shkojë e përçarë edhe në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kukësit, duke e ndarë votën mes dy kandidatëve. PD zyrtare ka kohë deri të premten në darkë për të vendosur nëse do të nxjerrë kandidat apo jo.

E teksa Lulzim Basha ende nuk e ka zyrtarizuar kandidatin, socialistët në këtë përballje elektorale do të garojnë me Albert Halilajn. Zgjedhjet e pjesshme në Kukës do të rimbahen vetëm për kreun e Bashkise dhe jo për Këshillin Bashkiak, pas arrestimit të Safet Gjicit, i cili u përfshi në një skandal seksual.


Video