Ibsen Elezi: Të shtyhen me 14 ditë zgjedhjet në PD, hajdutët e votave Vokshi dhe Bozdo të përjashtohen

10 May 2022, 19:34Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ibsen Elezi: Të shtyhen me 14 ditë zgjedhjet në PD, hajdutët
Ibsen Elezi

Kandidati për kreun e PD, Ibsen Elezi kërkon shtyrjen e zgjedhjeve me 14 ditë. Zgjedhjet që organizon Komisioni i Rithemelimit për kreun e kësaj force politike janë planifikuar të mbahen më 22 Maj, por sipas Elezit, koha është e pamjaftueshme.

Përmes një deklaratë nga selia blu, Elezi kërkoi gjithashtu dhe përjashtimin nga Komisioni i Zgjedhjeve të dy anëtarëve Albana Vokshi dhe Enno Bozdo, pasi sipas tij, ata të dy kanë manipuluar votat.

“I kërkoj Komisionit të Rithemelimit për dakordësi me këto kërkesa, largimin nga Komisioni të Albana Vokshit dhe Enno Bozdos, si persona që kanë manipuluar votat, si dhe shtyrjen e zgjedhjeve me afat 14 ditor, me qëllim zhvillimin e takimeve të përbashkëta elektorale me debat përpara anëtarësisë, duke shmangur takimet me monologë”, tha ai.

Teksa garon përballë Berishës, Ibsen Elelzi ka shpalosur sot dhe një pjesë nga platforma e tij, e cila bazohet tek fryma konservatore, hapja e partisë për figurat e reja, si dhe vendosjen e standardeve për karrierë duke eleminuar kacavjerrjen dhe servilizmin. Gjithashtu ai tha se "Rithemelimi" po ofron modelin Basha për drejtimin e PD.

“Platforma ime do të mbështetet në 2 kolona, zgjerimin e kësaj force politike dhe kthimin e saj te parimet dhe vlerat konservatore. Teoria e zgjerimit mbështetet kryesisht në parimin e transparencës dhe proceseve me debat, te saktesuar me rregulla dhe vendosjen e standarteve konkrete.

Vendosja e standardeve për karrierë duke eleminuar kacavjerrjen dhe servilizmin. Shtrirja e përfaqësimit territorial që së fundmi është cënuar në mënyrë të dukshme. Hapja ndaj figurave publike dhe akademike të djathta të afirmuara për veprimtarine e tyre në opinionin publik. Kthimi te parimet konservatore lidhet ngushtë me mbështetjen në vlerat më të mira tradicionale të kombit tonë, familja, liria dhe prona, të drejtat themelore të garantuara nga nje shteti i konsoliduar ligjor, ndërtimi i një lidershipi të qëndrueshëm, do jenë në themel të zhvillimit të platformës time.

Krijimi i një force politike si nje model i vërtet i respektimit te parimeve themelore demokratike do te ishte hapi i pari i ofrimit edhe të një modeli të ri qeverisje si antitezë e modelit neomarksist autokratik të Ramës, që në themel ka kontrollin e plotë të institucioneve dhe ekonomisë nëpërmjet sistemit mafioz-oligarkik të ngritur. Modelit konservator si rruga e vetme që nga një shoqëri e hallakatur drejtë shpërbërjes të kthehemi në një shoqëri të mbledhur rreth boshtit të vlerave morale tradicionale. Ndryshe nga modeli i rithemelimit qe po ju riofron modelin Basha dhe figura te diskretituara ne opinionin publik, une ju ofroj një rrugë të re me figura të reja politike që sjellin fitore.”, tha Elezi.


Video