Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Blerina Muça ka në dorë shqyrtimin e apelimit të bërë nga Enkelejd Alibeaj në lidhje me vendimin që regjistroi statutin e Sali Berishës.
Vendimi nuk është bërë ende publik, por nga një reagim i Komisionit të Rithemelimit kuptohet që ai nuk është pozitiv për Berishën dhe mbështetësit e tij.
Në dy shkresa të drejtuara për organet e reja të sistemit të drejtësisë, Komisioni i Rithemelimit kërkon që të merren masa disiplinore me shkarkim për gjyqtaren Muça, që e akuzon për shkelje të rënda të detyrës.
“Fillimin e hetimit dhe paraqitjen e kërkesës për marrjen e masës disiplinore pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor të pezullimit nga detyra për gjyqtaren pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranës, Blerina Muça dhe në përfundimin e hetimit nga ana juaj të kërkoni pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor shkarkimin nga detyra të gjyqtares për shkak të shpërdorimit të rëndë të detyrës”, thuhet në kërkesën që Komisioni i Rithemelimit i ka dërguar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani.
Paralelisht me këtë, Rithemelimi ka depozituar në komisionet e vettingut, ku gjyqtarja Blerina Muça nuk e ka kaluar ende, një ankesë. Në të dyja mesazhet, Rithemelimi thotë se është i vetmi organ drejtues i PD-së.