E BUJSHME / Edi Rama shkarkon Bledi Çuçin, Taulant Balla emërohet Ministër i Brendshëm

8 July 2023, 20:01Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
E BUJSHME / Edi Rama shkarkon Bledi Çuçin, Taulant Balla
Kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm Bledi Çuçi

Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, vetëm tre ditë pas dhunës masive në Krujë, ku u përfshinë të afërm të ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Rama shpreh falënderimet për Çuçin dhe në të njëjtën kohë i uron Taulant Ballën për detyrën e re.

“Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të  Republikës propozimet e mëposhtme! Falenderoj ministrin Bledi Çuçi për punën  e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Punëve të Brendshme Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese në çdo drejtim”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë ka publikuar edhe dy propozimet e firmosura prej tij, duke thënë se do t’ia dorëzojë presidentit Bajram Begaj ditën e hënë.

Dhuna barbare e anëtarëve të fisit Rraja shkaktoi tërmet si në politikë por edhe në radhët e Policisë së Shtetit.

Ditën e sotme, Rrahman Rraja, djali i të cilit është shpallur në kërkim si organizator i dhunës ndaj vëllezërve Maja në Krujë, dha dorëheqjen. Ai tha se ndihet i turpëruar dhe i dështuar si prind, dhe se i kërkon falje elektoratit dhe kolegëve.

Gjithashtu, gjatë ditës së sotme u njoftua shkrirja e Komisariatit të Krujës, që dyshohet se për muaj të tërë nuk ka vepruar, duke lënë që konflikti mes banorëve dhe pronarëve të gurores në Borizanë të degjenerojë në dhunë brutale.

Bledi Çuçi ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm prej dhjetorit të 2020-ës, por gjatë detyrës ai është shoqëruar nga ngjarje të rënda që kanë tronditur opinionin publik siç ishte vdekja e Lear Kurtit gjatë ndjekjes nga policia, vdekja e 7-vjeçares Jonada Avdia në bregdet në Himarë si dhe atentate e vrasje të rënda të stilit mafioz.


Video