Dy ditë pas vendimit të Apelit për t’i lënë vulën e partisë, Enkelejd Alibeajt, Sali Berisha ka mbledhur sot në mesditë kandidatët e tij për kryetarë të bashkive.
Duke folur nga selia blu, Berisha tha se Rama me vendimin e fundit të gjykatës ka konfiskuar vulën e partisë.
“Si burracak Edi Rama shtyu deri në 3 ditë para skadimit të afatit vendimin e parafabrikuar të gjykatës të kontrolluar 100% prej tij dhe konfiskoi vulën e partisë. Mendoi se me këtë akt na dha një goditje dhe shpëtoi nga opozita e vërtetë. E vërteta është e kundërta, ai s’do shpëtojë kurrë nga PD-ja, nga e cila u ngrit si feniksi nga hiri apo labirinthet e kurthet e paimagjinueshme shqiptare dhe ndërkombëtare”, u shpreh Berisha.
Ish kryeministri Sali Berisha tha sot se gjykatësit e Apelit lexuan si vendim një shkresë të hartuar nga Elira Kokona, një eksponentë e rrezikshme e mafies së Ramës, siç e quajti ai.
Berisha tha se “në këtë kontekst keni një epërsi shumë të madhe nga kandidatët e mafies shtetërore. Gykatësit lexuan një shkresë që u kishte ardhur aty me Elira Kokonën, një eksponent i rrezikshëm i mafies së Edi Ramës”.
Sipas tij “ky skenar nuk ishte vetëm i Edi Ramës. Morën peng ish kryetarin dhe duhet t’u them ju dhe qytetarëve shqiptarë se ka qenë kundërshtimi im i prerë para të dërguarve të Bashës dhe Ramës që PD të bëjë koalicion me PS, ai që pastaj nxiti të gjitha veprimet ndaj meje”.