Ka reaguar Enkelejd Alibeaj, pasi Gjykata e Apelit Administrativ, e la kryetar të Partisë Demokratike, duke rikthyer çështjen për rigjykim dhe zhbërë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, i cili kishte pranuar ndryshimet në Statutin e PD, të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021.
Këtë vendim, Alibeaj e konsideron si një ogur të mirë për demokratët, që sipas tij prej më shumë se një viti po kalojnë një periudhë të vështirë.
Ai i fton demokratët që të bashkohen në përballjen e 14 Majit dhe të lenë mënjanë pakënaqësitë, më të mirë që nuk vendosin interesin personal të askujt mbi interesin e demokratëve. Sipas Alibeajt, e sotmja, nuk është një ditë triumfi, por reflektimi.
Reagimi i plotë:
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit vjen si një ogur i mirë për demokratët, që prej më shumë se 1 viti po kalojnë një periudhë të vështirë.
Kjo është dita kur të gjithë ne, demokratët duhet të jemi më të bashkuar se kurrë për tu përballur me regjimin e Edi Ramës dhe të lëmë mënjanë grindjet dhe mosmarrveshjet mes nesh të shkaktuara nga mentaliteti i vjetëruar i politikës shqiptare.
Ftojmë të gjithë demokratët që të lenë mënjanë pakënaqësitë dhe të jemi bashkë në përballjen e 14 Majit. Me kandidatët më të mirë që nuk vendosin interesin personal të askujt mbi interesin e demokratëve.
Nuk është ditë triumfi për askënd. Është ditë reflektimi i thellë, për ato që kemi kaluar dhe për te perballuar të ardhmen, që nuk është e thjeshtë, por as e pamundur.
Për tu dhënë shqiptarëve #ditë më të mira