"Një vendim të marrë haptas nën presionin e Edi Ramës" Kështu e ka konsideruar deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit Administrativ, e cila ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë çështjen e vulës së PD, duke zhbërë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, i cili kishte pranuar ndryshimet në Statutin e Partisë Demokratike, të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021.
Bylykbashi e konsideroi vendimin e sotëm të qëllimshëm për të lënë opozitën jashtë zgjedhjeve të 14 Majit, teksa e konsideroi grupimin e Alibeajt se nuk përbën as minorancë në PD.
Deputeti demokrat shtoi më tej se me vendimi i sotëm shënon një ditë të zezë për drejtësinë dhe politikën shqiptare që ka vendosur një precedent, dhe se 32 vite pas themelimit të pluralizmit me vendim gjykate, u vra pluralizmi.
Bylykbashi: Nuk ka asnjë lloj ekuivoku, ky vendim i sotëm i marrë haptazi nën presionin e Edi Ramës, i paralajmëruar që disa ditë më përpara nga ministrja e Edi Ramës, me një presion që ka vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe, e ishte edhe sot në sallë, presioni mbi gjykatën, është vendim për përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet. Nuk ka asnjë kuptim tjetër. Është një vendim që haptazi ka thyer çdo rregull që deri më sot, ka vendosur jo vetëm legjislatori, por edhe jurisprudenca, duke pranuar ankimin e një pale nuk përbën as minorancë në PD, por i ka shërbyer gjatë gjithë kësaj kohe vetëm një qëllimi; përpjekjen e Edi Ramës që të mos ketë përballë një opozitë të vërtetë.
PD-ja ka qenë fare e qartë, ka ngritur një proces i cili në mënyrë të jashtëzakonshme prej më shumë se 1 vit ka treguar qartë vullnetin e opozitës për të mos qenë palë me Edi Ramën, sot gjykata zhbëri me këtë vendim nën presion, 11 dhjetorin atë kuvend të jashtëzakonshëm të PD-së, të gjithë përpjekjen më shume se 1 vjeçare që anëtarët me votë në mënyrë të përsëritur kanë demonstruar se kush është vullneti i demokratëve dhe opozitës dhe me këtë vendim sot, vendim që shënon një ditë të zezë për drejtësinë dhe politikën shqiptare ka vendosur një precedent, 32 vite pas themelimit të pluralizmit me vendim gjykate, u vra pluralizmi.
Si do të regjistroheni në zgjedhje? A do ta zbatojë z. Berisha vendimin e gjykatës për të lënë, menjëherë sikurse e obligon, zyrën e PD dhe të lirojë selinë.
Bylykbashi: Unë bëra komentin në lidhje me këtë vendim. Çdo hap tjetër do të merret nga instancat, organet kolegjiale të zgjedhura të PD, jo ato që ka emëruar kryeministri, apo që i intereson kujtdo tjetër, që nuk përfaqësojnë PD, por përfaqësojnë një logo që e ka përzgjedhur Edi Rama. Do të marrin vendim organet e PD-së dhe sigurisht populli opozitar ishte sot në shesh dhe ajo që ne kemi anonçuar në lidhje me përpjekjen tonë për të çuar demokracinë përpara. Vendimet e PD-së do ti marrin organet e saj. Ajo që dua të theksojmë ne sot, kjo ishte një ditë e zezë për pluralizmin dhe demokracinë shqiptare. Gjykata sot provoi se ka rëndë përfundimisht dhe totalisht nën thundrën e Edi Ramës.