Apeli i hoqi "vulën", Berisha e konfirmon: Do bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë, do ta dërgojmë çështjen dhe në gjykatë ndërkombëtare

4 March 2023, 12:55Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Apeli i hoqi "vulën", Berisha e konfirmon: Do bëjmë
Sali Berisha

Grupi i Sali Berishë do të çojë për rekurs në Gjykatën e Lartë vendimin e djeshëm të Gjykatës së Apelit Administrativ, e cila ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë çështjen e vulës së PD, duke zhbërë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, i cili kishte pranuar ndryshimet në Statutin e Partisë Demokratike, të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021.

Këtë gjë e ka konfirmuar vetë Berisha gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së. Ai deklaroi se do ta dërgojnë për rekurs në Gjykatën e Lartë dhe do të kërkojnë përjashtimin e Sokol Sadushit.

Berisha shtoi më tej se do të ndjekin procedurën në gjykatën ndërkombëtare, sepse sipas tij, në asnjë vend të Këshillit të Europës nuk ka ndodhur që të shpallet palë ajo që nuk është palë.

"Vendimi i Edi Ramës për të prishur vendimin e Gjykatës së Faktit, që u firmos nga 3 gjykatës të marrë peng, do hyjë në analet e drejtësisë shqiptare dhe botërore, si njolla më e zezë e turpit. Se shkeli një parim nga Roma e lashtë gjer më sot, se në një proces nuk mund të jetë kurrë palë ai që nuk ka qenë palë. Ky është rasti i parë në historinë e botës. Por palë ishte Edi Rama. Pala e vërtetë ishte Edi Rama. Për të mos i lënë një turp historik, vetes, edhe avokati tha se nuk jemi palë. Nuk kishte rëndësi, sepse ata kishin firmosur vendimin para se të hapej procesi. Ndaj dhe mbi të gjithë qëndrimet e PD-së, do të diskutojmë gjerësisht në këtë mbledhje, do diskutojmë në forumet e saj. Por duhet t’u njoftoj se vendimi në tërësi i juristëve është që ky akt, ky vendim të dërgohet për rekurs në Gjykatën e Lartë. E them unë, që njerëzit mund të habiten se si ta dërgojmë ne te Sadushët. Ne do e dërgojmë në Gjykatën e Lartë. Do kërkojmë përjashtimin e Sadushit nga gjykimi. Nuk presim asgjë tjetër, se urdhri është po ky, por ne do ndjekim procedurën në gjykatën ndërkombëtare. Sepse ka ndodhur një gjë që në një vend anëtar të Këshillit të Europës, në një vend të lirë në botë, nuk ndodh që të shpallet palë ajo që nuk është palë. Rregulli për ta dërguar në gjykatë ndërkombëtare çështjen, kërkon që të ezaurohen shkallët e gjykatave të vendit." deklaroi Berisha.

Gjithashtu, ish-kryeministri iu bëri thirrje demokratëve që të distancohen nga Basha dhe Alibeaj, duke i konsideruar si pengje.

"Unë jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë demokratëve, edhe ndonjërit që ka qëndruar indiferent, të distancohet nga ky peng i shpifur, nga këta pengje të shpifur, që kanë shënuar rekordet më të ulëta të politikanit: Brava-Alibasha. Sot është koha që demokratët të bashkohen, të gjithë ata që kanë karakter, që nuk duhet të ndjehen të keqpërdorur nga Brava-Alibasha, vegla të shpifura të Edi Ramës. Është koha që çdo deputet të mbajë qëndrimet e tij në përputhje me interesat e qytetarëve që e kanë votuar. Të ngrihen mbi çdo interes tjetër. Ju garantoj se ne jemi sot më të fortë se kurrë dhe nesër do jemi më të fortë se sot. Koha faktoi se ne nxorëm në pah fytyrën e shëmtuar të mafies, rast unik në histori. Ka ndodhur që janë bërë përpjekje për të rrëzuar një qeveri, por nuk kam dëgjuar që janë bërë përpjekje për të shkatërruar një opozitë demokratike properëndimore. Dhe të kenë dështuar më radhë të gjitha përpjekjet. Përse dështuan? Sepse forca e kësaj partie janë idealet. Demokratët duhet të ndjehen krenarë, luanë. Kjo tregon se çfarë kanë arritur ata në këtë proces.
Asgjë nuk mund të mposhtë shumicën e kësaj force. Kjo shumicë, çdo ditë e më e madhe do bëhet.

Edhe njëherë, u bëj thirrje demokratëve të qëndrojnë në lartësinë e guximit të tyre. Kjo që ndodhi është dëshmi e tmerrit gjeri në palcë që i ka hyrë Edi Ramës dhe mafies së lidhur me të. I siguroj se janë të pashpresë. Frikën dhe tmerrin që u keni kallur ju, gjatë këtyre muajve, ata e përjetojnë me drithërime. E përjetojnë të sfazuar. Por edhe më shumë do të shohin në javët dhe muajt që vijnë. Disfata i pret! Mirënjohje të pakufishme ndaj atyre që e ngritën PD-në në këmbë dhe i dhanë këtë shpirt luftarak dhe të pamposhtur që do të shpëtojë demokracinë. Falënderim për ata dhjetëra mijëra qytetarë që mbushën dje sheshin si kurrë ndonjëherë në histori në një ditë pune. Një protestë si ajo nuk është parë." deklaroi Berisha.


Video