Ashtu siç e kishte paralajmëruar më herët, ish-kryeministri Sali Berisha ka dorëzuar zyrtarisht dosjen e kandidimit për kryetar të Partisë Demokratike pasditen e kësaj të premteje në selinë e Partisë Demokratike.
Afati i fundit për të zyrtarizuar kandidaturat është e shtuna e 7 majit. Gara do të zhvillohet më 22 maj.
Deri më tani vetëm Berisha e ka dorëzuar dokumentacionin. Asnjë tjetër nuk ka shprehur dëshirë për të garuar përballë liderit historik të PD-së.
Më herët kandidatët që kishin shprehur mundësinë e garimit, Fatbardh Kadilli, Edvin Kulluri dhe Agron Shehaj deklaruan se janë tërhequr. Kadilli dhe Kulluri kanë deklaruar se në PD nuk do të ketë garë transparente dhe për këtë arsye nuk mund të kandidonin.
I pyetur gjatë ditës së sotme nëse është i shqetësuar që nuk ka asnjë kandidat përballë, Berisha tha se ai “nuk shpik rivalë si Edi Rama”
“Atëherë thjesht unë do të jem një lider referendar, i zgjedhur me referendum popullor, por nuk ka garë më të fuqishme se kjo. Në qoftë se të tjerë nuk marrin përsipër të kandidojnë për arsyet e tyre dhe i garantoj për një garë të ndershme me rregulla të plota transparente. Nuk jam unë Edi Rama që shpik rivalë. Atë nuk e bëj unë. Ajo është fake, antidemokratike. Kush të dojë, urdhëro ka një komision të përcaktojë çdo rregull? Nuk duan, atëherë mbetet referendumi dhe unë më datë 22 Maj nëse zgjidhem në një referendum të mbarë demokratëve, në qoftë se nuk zgjidhem i nënshtrohem plotësisht verdiktit të tyre po referendar. Nuk ishte kjo kërkesa ime, por natyrisht një zgjidhje referendare më nderon shumë”, tha Berisha gjatë ditës së sotme.