Rezoluta, Berisha do të përfshihet në zgjedhjen e Presidentit: PS, proces farsë! Votojmë kundër emrave të njëanshëm

6 May 2022, 18:47Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rezoluta, Berisha do të përfshihet në zgjedhjen e Presidentit:

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike doli me një rezolutë për zgjedhjen e Presidentit, ku e cilëson farsë procesin e nisur nga Partia Socialiste në Kuvend dhe kërkon që diskutimet të zhvillohen në nivel më të përgjithshëm politik dhe jo vetëm me grupet parlamentare.

“Mazhoranca socialiste po përpiqet të sajojë një dukje konsensualiteti të rremë. Partia Demokratike e denocon këtë si sjellje që i kontribuon thellimit të krizës politike, institucionale dhe kushtetuese në vend, dhe që dëmton legjitimitetin e procesit dhe bësueshmërinë e Presidentit të ardhshëm”, thuhet në rezolutë.

Sipas rezolutës, konsensusi që synon Kushtetuta në zgjedhjen e Presidentit të Republikës nuk është një proces formal legjislativ parlamentar por ka karakter thelbësisht politik.

“Si e tillë, zgjedhja e Presidentit mund të bazohet vetëm në vullnete të vërteta politike të përfaqësuara nga partitë politike, të mandatuara me votë për të përfaqësuar zgjedhësit. Tradita politike dhe parlamentare në Shqipëri është bazuar gjithnjë në përpjekjen për gjetjen e konsensusit politik dhe parlamentar për figurën e Presidentit të Republikës nëpërmjet konsultimeve politike në nivelet më të larta politike të partive parlamentare. Thyerja e traditës politike dhe parlamentare zhbën premisat për konsensus të vërtetë”, vijohet në rezolutë.

Më tej, “Partia Demokratike do të shprehë vullnetin e saj për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me votën e deputetëve të grupit të saj parlamentar, në çdo rast pa u bërë pjesë e farsave institucionale të mazhorancës socialiste”.

Në fund, Këshilli Kombëtar mandaton Komisionin e Rithemelimit që të caktojë përfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare të përfshira në procesin e zgjedhjes së Presidentit.

“Në rast se në procesin politik dhe parlamentar të gjetjes së kandidaturave, krijohen kushtet për konsensus për votimin e Presidentit nga kandidatë të propozuar nga opozita, mandatohen përfaqësuesit e Partisë Demokratike që bashkarisht me përfaqësuesit e tjerë të partive opozitare, të propozojnë kandidatë në raundet e përcaktuara nga Kushtetuta. Çdo alternativë që mundëson zgjedhjen e Presidentit me votat e Partisë Socialiste, apo të siguruara pa konsensus politik të vërtetë, do të refuzohet me votë në Kuvend”, thuhet në rezolutë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video